LAJMI I FUNDIT:

Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan nis pas pak javësh

Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan nis pas pak javësh

Ndërtimi i autostradës Prishtinës –Gjilan pritet të nisë brenda disa javësh. Kështu ka deklaruar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë takimit që zhvilloi me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka deklaruar se edhe pse ka pasur kundërshtime për autostradën Prishtinë –Gjilan, punimet e ndërtimit pritet të fillojnë brenda disa javësh. Sipas tij kjo autorrugë ndikon pozitivisht në zhvillimi ekonomik, dhe e lehtëson lëvizjen e qytetarëve.

“Ka pasur zhurmë po ne kemi qenë të vendosur bashkë me kryetarin, bashkë me kabinetin që ky projekt të zhvillohet dhe tani më merr fund që është nënshkruar kontrata dhe fillojnë punimet. Falënderoj kryetarin e komunës, por edhe gjithë qytetarët e kësaj ane që kanë qenë këmbëngulës që ky projekt të zhvillohet dhe të jetë realitet dhe ne brenda disa javësh do të fillojmë punimet dhe mendoj që kjo anë më nuk do të ketë probleme sa i përket lëvizjes së lirë, korridoreve, lidhjeve të korridoreve dhe sidomos këto rrugë të kenë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik”, tha ai.

Lekaj po ashtu ka prezantuar disa projekte infrastrukturore që do kenë impakt pozitiv në jetën e gjilanasve, që kapin shifrën e investimeve 1 milion e 280 mijë euro. Ai po ashtu ka deklaruar se do të investojnë edhe në projektet që kanë qenë në procedurë siç është ndërtimi i rrugës Verbicë e Zhgrovcit që kap shumën 1 milionë e 300 mijë euro.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lufi Haziri tha se marrëveshjet e nënshkruara sot janë projekte infrastrukturore për ndërtimin e rrugëve në fshatrat dhe qytetin e Gjilanit. Ai si pjesë të këtyre planeve të përbashkëta veçoi ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila lidh Gjilanin me korridorin e kombit.
“Investime të përbashkëta në qytet, programi i investimeve të rrugëve në qytet duke përfshirë edhe zgjerimin e rrugëve, programi i përbashkët i investimeve në fshatrat e Gjilanit që përfshinë edhe rrugën kryesore dhe madhore tashmë lidhjen e Gjilanit dhe Lipjanin përmes Verbicës së Zhegrovcit”, tha ai.
Ndryshe, ditë më parë ministri Lekaj ka nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila do të kushtojë 88 milionë euro dhe do të jetë e gjatë 22.3 kilometra. /Telegrafi/