Ndërron jetë prokurori gjilanas Ismet Ukshini nga COVID-19

Në Gjilan ka ndërruar jetë prokurori Ismet Ukshini, duke u bërë viktima e 125-të e coronavirusit.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Nisret Hajrullahu i cili tha personi në fjalë ka ndërruar jetë gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm, nga COVID-19.
Drejtori Hajrullahu tha po ashtu se i ndjeri ka pasur edhe sëmundje të tjera përcjellëse. “Një person ka vdekur sot nga virusi COVID-19, por ka pasur edhe vështirësi dhe probleme përcjellëse”, ka thënë shkurt Hajrullahu.
Edhe Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se sot është ndarë nga jeta prokurori Ismet Ukshini, i cili ka qenë i prekur nga COVID 19.
"I ndjeri, Ismet Ukshini ishte prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Gjilan, i cili deri në momentet e fundit të jetës së tij, me përkushtimin më të lartë i shërbeu institucionit dhe vendit, kontributi i tij ishte i çmueshëm", thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
"Prokuroria Themelore në Gjilan, familjes së të ndjerit, miqve dhe gjithë kolegëve, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Gjithë stafi i Prokurorisë Themelore në Gjilan, gjithmonë do t’a kujtojë me respekt dhe nderim!", thuhet në njoftimin e Prokurorisë./Telegrafi/






































