Ndalohen shitjet fizike të lodrave të njohura të Labubu pas “kaosit” në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar

Shitjet fizike të lodrave shumë të kërkuara Labubu janë pezulluar përkohësisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo pasi turma të mëdha dhe radhë të gjata përfshinë disa dyqane në të gjithë vendin, përcjell Telegrafi.
E gjithë situata u përshkallëzua pas një postimi në rrjetet sociale nga një personazh i njohur publik, i cili lavdëroi këto lodra.
Brenda pak orësh, qindra njerëz u paraqitën përpara dyqaneve, duke bërë të pamundur hyrjen e klientëve dhe duke shkaktuar tensione.
Për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e klientëve, kompania që i prodhon ka vendosur të pezullojë përkohësisht të gjitha shitjet në dyqane dhe në automatet e shpërndarjes.
“Shitjet online do të vazhdojnë normalisht. Jemi duke punuar për të përmirësuar përvojën e blerjes si në dyqan, ashtu edhe online”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Labubu është një karakter me pamje të veçantë dhe është kthyer në një lodër shumë të dëshiruar nga koleksionistët e rinj.
Kjo është hera e parë që shitjet fizike të Labubu ndalohen në Mbretërinë e Bashkuar. /Telegrafi/

















































