Ndalet njësia B1 për arsye sigurie, energjia mbulohet përmes prodhimit dhe importeve

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar sot se njësia B1 e Termocentralit “Kosova B” është shkyçur nga operimi, pas evidentimit të rrjedhjeve të konsiderueshme të avullit në sistemin e gypave brenda kaldajës. Defekti është vërejtur rreth orës 10:00, ndërsa pas vlerësimeve teknike është marrë vendimi që njësia të ndalet para orës 18:00, për të shmangur dëmtime potencialisht më të mëdha.
Sipas KEK-ut, rrjedhjet kanë shkaktuar harxhime të larta të ujit dhe pamundësi për të vazhduar operimin në mënyrë të sigurt. Ndalja e njësisë është konsideruar si masë parandaluese për ruajtjen e integritetit të pajisjeve.
Furnizimi me energji mbulohet në 87.6% nga prodhimi vendor
Pavarësisht shkyçjes së B1, KEK siguron se furnizimi me energji elektrike në vend mbetet stabil. Katër njësitë e tjera gjeneruese janë në funksion të plotë, duke realizuar prodhim ditor prej rreth 13,560 MWh. Ky nivel mbulon 87.6% të kërkesës së parashikuar nga KESCO për ditën e nesërme, e cila arrin në 15,471 MWh.
Pjesa e mbetur e energjisë sigurohet përmes blerjeve në bursën ALPEX, si dhe përmes shkëmbimit të energjisë me Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH Sh.A.), bazuar në marrëveshjet ekzistuese të bashkëpunimit.
Rikthimi i njësisë B1 pritet pas vlerësimit teknik
KEK njofton se rikthimi në operim i njësisë B1 do të bëhet i ditur pas përfundimit të kontrollimeve të detajuara teknike.
Korporata thekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt dhe menaxhimit të përgjegjshëm të kapaciteteve prodhuese, duke garantuar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike për vendin.



















































