Ish-futbollisti i FC Ballkani, Nazmi Gripshi, ka pasur një debutim të shkëlqyer me Rubin Kazan duke shënuar gol dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të fitojë ndaj Krasnodar me rezultat 2-1.

Ndeshja u zhvillua në kuadër të javës së 20-të të Russian Premier League, ku Rubin Kazan kërkonte ta niste me fitore stinorin poranveror.


Gripshi realizoi golin e parë të takimit në minutën e 24-të. Ai pranoi një top jashtë zonës, avancoi drejt portës dhe pasi dribloi bukur një mbrojtës kundërshtar, goditi saktë për të gjetur rrjetën dhe për t’i dhënë epërsinë skuadrës së tij 1-0.


Mesfushori shqiptar qëndroi në fushë deri në minutën e 77-të, ndërsa paraqitja e tij u vlerësua lart edhe nga SofaScore, e cila e shpalli lojtarin e ndeshjes me notën 8.2.

Te Rubini nga minuta e parë luajti edhe Veldin Hoxha, i cili qëndroi në fushë deri në minutën e 87-të.

Ndërkohë, sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Mirlind Daku, nuk ishte në dispozicion për këtë ndeshje pasi ende nuk është rikuperuar nga lëndimi.

Pas kësaj jave Krasnodar vazhdon të mbajë vendin e parë në tabelë me 43 pikë, ndërsa FC Rubin Kazan renditet në vendin e shtatë me 26 pikë. /Telegrafi/

telegrafi sport app