Të enjten, më 12 shkurt, Ministrat e Mbrojtjes të vendeve aleate do të mblidhen në selinë e NATO-s në Bruksel, në kuadër të takimit të radhës ministror. Takimi do të drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.


Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën.

Në një deklaratë nga NATO thuhet se ministrat pritet të shkëmbejnë pikëpamje edhe për zbatimin e të gjitha misioneve dhe aktiviteteve të udhëhequra nga Aleanca, përfshirë KFOR-in.

“Ne presim që Ministrat e Mbrojtjes të shkëmbejnë gjithashtu pikëpamje mbi zbatimin e të gjitha misioneve dhe aktiviteteve të udhëhequra nga NATO, përfshirë KFOR-in. Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. NATO punon për të promovuar stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë krijimin e një vakumi sigurie”, thuhet në deklaratë shkruan Telegrafi.


KFOR-i është i vendosur në Kosovë për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë, lirinë e lëvizjes, si dhe për të mbështetur praninë civile ndërkombëtare dhe organizatat e tjera ndërkombëtare raporton Telegrafi.

Afërsisht 4,636 trupa nga 33 vende, kontribuojnë në përmbushjen e objektivave të misionit.

Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria, Turqia dhe Polonia kanë numrin më të madh të personelit ushtarak në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.

Telegrafi është në mesin e mediave rajonale dhe ndërkombëtare që do ta përcjellin këtë takim dhe do t’ju mbajë të informuar me zhvillimet më të fundit. /Telegrafi/