LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Qeverinë gjithëpërfshirëse duhet ta udhëheqë LDK-ja, sepse është partia më e madhe

Mustafa: Qeverinë gjithëpërfshirëse duhet ta udhëheqë LDK-ja, sepse është partia më e madhe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur rreth asaj se si duhej dukur Qeveria gjithëpërfshirëse të cilën e kanë propozuar ditë më parë.

Sipas tij, një Qeveri e tillë duhet të ketë në krye partitë sipas fuqisë politike në Kuvend. Ai ka thënë se si partia më e madhe në Kuvend, LDK duhet ta ketë edhe postin e kryeministrit.


“Po një Qeveri e cila i ka të gjitha partitë parlamentare të renditura sipas fuqisë politike që kanë në Kuvend. Në bazë të numrit të deputetëve që janë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në qoftë se LDK-ja është partia e parë me deputetë, atëherë LDK-ja do të jetë e para, jo më PDK-ja.

“LDK-ja duhet ta ketë edhe kryeministrinë. Ne nuk e kemi përpunuar, në pikëpamje të bartësve të pozitave, por ajo që ne kemi thënë dhe që qëndrojmë fuqishëm mbrapa saj është që ne konsiderojmë që dialogun duhet ta zhvillojë Qeveria. Do të thotë jo një grup negociator, siç po thonë Ekipi Shtetëror sepse ne s’mund të kemi ekipe shtetërore kur i kemi të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”.

Mustafa në BlicInterview ka shtuar se edhe dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria e jo nga presidenti siç po kërkohet tani, por se nuk janë kundër tij.

“E kemi Kuvendin, e kemi Qeverinë, e kemi presidentin, secili prej tyre me Kushtetutë e ka fushëveprimin dhe përgjegjësitë e veta dhe përgjegjësia e saj është që Qeveria të zhvillojë negociata. Negociatat i bën Qeveria, i bie dokumentet në vend, Kuvendi i ratifikon, pasi që të ratifikohet pastaj nënshkruhet nga presidenti.

“Ne qëndrojmë që në çdo rrethanë, Qeveria duhet të bartë dialogun dhe kryeministri duhet të jetë ai i cili do të përfaqësojë shtetin e Kosovës në dialog. Ne në asnjë rast nuk ia ndalojmë që të jetë edhe aty presidenti dhe nuk jemi kundër, por dialogun duhet ta bëjë Qeveria dhe kur të vije në Kuvend ne duhet të sigurojmë pastaj së paku dy të tretat e votave”.