Mustafa: Agim Veliut duhet t’i jepet shansi, ka ndikim të rëndësishëm në LDK në Podujevë

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se Agim Veliut duhet t’i jepet mundësia të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e ardhshme.
Mustafa tha se Veliu mbetet një figurë me ndikim të rëndësishëm në degën e LDK-së në Podujevë dhe se kontributi i tij do t’i shërbente forcimit të strukturave të partisë në këtë komunë.
“Unë mendoj që Agim Veliu ka një ndikim të rëndësishëm në LDK e Podujevës, që mund t’i kontribuojë konsolidimit dhe rritjes së LDK-së në Podujevë, pa marrë parasysh që nuk është kryetar në atë degë,” u shpreh Mustafa në T7.
Ai theksoi se udhëheqja qendrore e LDK-së duhet të tregojë kujdes të veçantë ndaj figurave që kanë kontribuar ndër vite në parti.
“Udhëheqësia e LDK duhet të jetë e kujdesshme ndaj vlerësimit të atyre që kanë kontribuar në LDK. Duhet të jetë e kujdesshme ndaj vlerave të LDK sa i përket orientimit të zhvillimit ekonomik, arsimor, kulturor, për atë që ne gjithmonë kemi pri, sepse kemi pasur konceptet më të qarta të zhvillimit ekonomik,” theksoi ai.
Sipas Mustafës, LDK duhet të vazhdojë të ruajë dhe të zhvillojë më tej këto parime për të forcuar pozitën e saj politike.


















































