Jamal Musiala ka vlerësuar Thomas Muller si futbollistin më të mirë me të cilin ka luajtur ndonjëherë, duke lavdëruar legjendën e Bayern Munich për udhëzimet dhe mbështetjen e vazhdueshme.

“Do t’ia jap këtë Thomas Mullerit", deklaroi Musiala, duke iu referuar bashkëlojtarit të tij që së fundmi i dha fund karrierës 25-vjeçare me Bayernin.


"Kam mësuar kaq shumë prej tij – këshilla të vogla, detaje të rëndësishme – dhe jam argëtuar shumë duke luajtur me të. Mund të përmend shumë lojtarë të tjerë, por Thomas është në krye”.

I pyetur për kundërshtarin më të vështirë që ka hasur, Musiala përmendi shokun e tij të skuadrës kombëtare, Antonio Rudiger.

“Luajtëm kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve dhe ishte shumë e vështirë”, kujtoi ai. “E njoh prej disa vitesh dhe, po, nuk është aspak e lehtë të luash kundër tij”.

Mesfushori i ri foli edhe për zhvillimin e tij personal, duke thënë: “Në ndeshjet e mëdha, ende ndjej se mund të bëj një hap përpara. Nuk jam ende aty ku dua të jem”.

Pavarësisht paraqitjeve mbresëlënëse në Euro 2024, Musiala tregon një qëndrim autokritik që reflekton vendosmërinë e tij për të përmirësuar vazhdimisht veten.

“Ndoshta të tjerët mendojnë se jam pak i ashpër me veten. Por kjo është pjesë e të qenit lojtar elitar: të mos jesh kurrë i kënaqur, gjithmonë të kërkosh më shumë”, shtoi anglezo-gjermani. /Telegrafi/

telegrafi sport app