Murseli: Këtë vit synojmë Kupën e Kosovës, qëllimi im është që Drita të jetë klub konkurrues në arenën ndërkombëtare

Drita nga Gjilani është kampioni i Kosovës për edicionin 2017/2018. Skuadra bardh e kaltër, e cila tre vite më parë ndryshoi edhe strukturat udhëheqëse, kishte bërë një stinor të jashtëzakonshëm duke e kurorëzuar me titullin e kampionit.
Përveç titullit, Drita arriti të marrë edhe Superkupën e Kosovës.
Dy trofe të fituar si dhe dalja në Evropë, ku u paraqitën me plot sukses, e kanë shndërruar ekipin gjilanas një skuadër shumë të respektuar në Kosovë.
Për sukseset e Dritës dhe të ardhmen e klubit bardh e kaltër, në një intervistë për Telegrafin ka folur presidenti i tyre, Valon Murseli.
Drita këtë vit ka arritur të fitojë titullin e kampionit, Superkupën e Kosovës dhe të luajë në garat evropiane? Sa jeni i kënaqur me këtë vit dhe realisht a i keni pritur këto suksese?Murseli: Realisht ky është viti më i suksesshëm në histori të klubit, sepse kemi arritur që për një vit t’i marrim dy trofe të rëndësishëm. Ajo që e bënë më të veçantë dhe që normalisht jam shumë i kënaqur është paraqitje në Evropë.
Një pjesë e rëndësishme në histori jo vetëm të klubit, por edhe në historinë e futbollit kosovar. Të jem i sinqertë, me ekipin të cilin arritëm ta ndërtojmë kam qenë shumë optimist sepse kam besuar shumë në lojtarët e mijë.
Thuajse që tri vite në krye të Dritës, sa para janë shpenzuar nga ju dhe bashkëpunëtorët e tuaj gjatë kësaj periudhe?Murseli: Nuk ka shumë rëndësi se sa para janë harxhuar, pasi ky nuk ka qenë asnjëherë problemi për ne. Puna e shkëlqyer që po bëhet në klub na bënë që ne mos të mendojmë asnjëherë për aspektin financiar.
Cili është momenti më i mirë si president i Dritës?Murseli: Titulli i kampionit padyshim. Superkupa ka qenë qershia mbi tortë.
Cili është momenti më i keq për ju si president i Dritës?Murseli: Nuk ka mundësi të kesh momente të këqija kur je pjesë e familjes së madhe bardh e kaltër.
Cili lojtar i Dritës deri më tani ju ka lënë më së shumti përshtypje?Murseli: Mendojë që ajo që më ka lënë më së shumti përshtypje është grupi. Kemi shumë lojtarë kampion kështu që është vështirë të bësh dallime.
Cilat janë objektivat e Dritës për vitin 2019?Murseli: Tani më e dini që nuk e kemi filluar siç duhet kampionatin dhe objektivi i jonë është Kupa e Kosovës. Shpresojë që ta arrijmë sepse në ekip kemi lojtarë kampionë dhe besoj shumë në ta.
Planet e Valon Murselit për të ardhmen me FC Dritën?Murseli: FC Drita tani më është një klub shumë serioz dhe plani im është që Drita të jetë një ekip konkurrues në arenën ndërkombëtare dhe të jetë një skuadër evropiane. /Telegrafi/














































