Murati: Tashmë gjithçka kristal e qartë - PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe janë të interesuara të bllokojnë Kuvendin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati theksoi sot se tashmë është gjithçka është e qartë se kush po e bllokon themelimin e institucioneve të reja, pasi nuk u votua as propozimi i dytë i LVV-së për kryetar të Kuvendit, e që ishte Donika Gërvalla.
Murati në një deklaratë për media tha se u vërtetua ajo që kanë thënë në fillim se kush janë bllokuesit e Kuvendit, raporton Telegrafi.
“Po besoj se tashmë gjithçka është kristal e qartë... Ajo që e kemi thënë në fillim u vërtetua sot në mënyrën më të mirë megjithëse pritnim që të reflektonte opozita”, tha ai.
Sipas tij, tashmë në Kosovë janë dy blloqe, LVV me partnerët e saj dhe PDK, LDK, AAK e Lista Serbe.
“E pamë që tashmë në Kosovë janë dy blloqe: njëri bllok me 57 vota që kanë dalë nga këto zgjedhje që kanë dalë nga vullneti i popullit, LVV, Partia Guxo dhe Alternativa si dhe partnerët jo shumicë joserbë si dhe Nenad Rashiq nga komuniteti serb si dhe blloku tjetër, PDK, LDK, AAK dhe Lista serbe si dhe disa deputetë ndërmjet...”, tha ai.
Por, sipas tij, ajo që u vërtetua është se janë 56 deputetë, përshirë Listën serbe, ndërkaq nga opozita janë PDK, LDK, AAK që janë të interesuar ta bllokojnë Kuvendin. /Telegrafi/


















































