Murati rikthehet te Shkëndija – firmos kontratë dyvjeçare

KF Shkëndija zyrtarizon rikthimin e mbrojtësit të djathtë Mevlan Murati, i cili do të jetë përforcimi më i ri në repartin defansiv të skuadrës, njofton Telegrafi.
Pas largimit të Stefan Kocevit dhe Mevlad Adilit, drejtuesit e klubit kuqezi kanë vepruar me shpejtësi për të siguruar një zëvendësim cilësor, duke rikthyer në Tetovë një emër të njohur për tifozët kuqezi.
Murati, i cili ka qenë më parë pjesë e Shkëndijës dhe e njeh mirë ambientin dhe pritshmëritë e klubit, ka kaluar me sukses ekzaminimet mjekësore dhe ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë të lidhur me kuqezinjtë për dy sezonet e ardhshme./Telegrafi/
Rikthimi i tij pritet të sjellë stabilitet dhe përvojë në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa stafi teknik beson se Murati do të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjet e ekipit për objektivat që ka përpara.


















































