Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili ditë më parë tha se në vitin 2017 kishte liruar anëtarët e kabinetit qeveritar pasi ata ishin zgjedhur deputetë, me qëllim që të shmangte shkeljen e Kushtetutës.

Në një reagim në Facebook, Murati tha se arsyeja e lirimit të zyrave nga anëtarët e LDK-së në atë kohë nuk kishte të bënte me respektimin e Kushtetutës, por me faktin se nuk pritej që kjo parti të ishte pjesë e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017.


“Pas zgjedhjeve të mbajtura më 11 qershor 2017, koalicioni PAN kishte dalë i pari, Lëvizja Vetëvendosje e dyta, ndërsa LDK e treta. Pra, as që pritej se LDK do të ishte edhe në qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve, prandaj kishte pasuar edhe lirimi i zyrave”, deklaroi Murati.

Ndërkohë, kriza politike në vend vazhdon, pasi Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet për 49 seanca me radhë. Seanca e 50-të është paraparë të mbahet nesër, ndërsa afati i fundit për formimin e Kuvendit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është data 26 korrik.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, ndërsa nuk ka arritur të formohet as komisioni për votim të fshehtë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar pasoja juridike për deputetët në rast se nuk arrihet konstituimi i Kuvendit deri në afatin e përcaktuar.

Ajo ka bërë të ditur se po përgatitet një kërkesë për interpretim kushtetues që do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese në fillim të javës së ardhshme nëse edhe gjatë vikendit nuk ka përparim në formimin e institucioneve.