Murati i kërkon sërish Ramës të flasë me deputetët e LDK-së që ta votojnë konstituimin e Kuvendit

Përplasja mes ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, po thellohet, me akuza të ndërsjella për bllokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në debatin publik.
Murati ka reaguar pasi Rama e akuzoi se “po bën humor me qytetarët”, duke përdorur platformën ChatGPT për ta justifikuar qasjen e tij ndaj mos-alokimit të buxhetit sipas ndarjeve të vitit 2025.
“Përparim, ti gënjeve që Qeveria ta ka blloku buxhetin, unë të demantova me fakte e argumente. Nëse dikush po bën humor e po tallet me votuesit, jeni ju që keni qeverisur me Prishtinën dhe fajin tuaj për mos-miratimin e buxhetit komunal sipas afateve ligjore tentoni t’ia hidhni Qeverisë, ndërsa vetë viktimizoheni,” tha Murati.
Ai theksoi se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka alokuar buxhetin për Komunën e Prishtinës sipas ndarjeve të vitit 2024, në përputhje me ligjin, për shkak se komuna nuk e kishte miratuar buxhetin e ri në kohë.
“Për ta alokuar buxhetin sipas ndarjeve të vitit 2025, duhet ndryshim apo plotësim i Ligjit të buxhetit në Kuvend. Nëse don zgjidhje, e ke shumë të lehtë – fol me deputetët e partisë tënde në Kuvend që ta zhbllokojnë, e kjo pastaj hap rrugë për ndryshimin e ligjit,” shtoi ministri në detyrë.
Kjo përplasje ndodh në një periudhë bllokade politike në Kuvendin e Kosovës, ndërsa qytetarët e kryeqytetit po përballen me pasojat e vonesave në projektet komunale për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore të reja.











































