LAJMI I FUNDIT:

Mundësia e fshehur prapa një sfide të vështirë!

Mundësia e fshehur prapa një sfide të vështirë!

Ndonëse deri tash perceptimi ynë për virusi Covid-19 i ngjasonte një iluzioni “interesant”, një situate kalimtare, fillimi i javës së tretë të parandalimit të përhapjes së këtij virusi, përmes masave të ndryshme të cilat më së shumti penalizojnë bizneset, e bëjnë më se të vërtetë këtë “iluzion”. Askush nuk ka arritur të parashikojë këtë. Pavarësisht se rastet e para të këtij virusi janë shënuar qysh në dhjetor të vitit 2019, asnjë biznes nuk është përgatitur për një situatë të tillë.

Rasti i parë me këtë virus u paraqit në Kinë, në dhjetor, dhe pas thuajse katër muajve ballafaqimi me këtë virus, ky shtet ka deklaruar se në fillim të muajit prill do t’i kthehet normalitetit, duke lejuar lëvizjen e lirë të popullsisë. Duke marrë parasysh kapacitetet e Kinës, këtij shteti iu deshën rreth katër muaj për të neutralizuar përhapjen e këtij virusi. Sa mund ti duhen Kosovës?


Është e kuptueshme se asnjë kompani në Kosovë, pa marrë parasysh industrinë në të cilën operon, nuk do t’ia arrinte ta kalonte këtë situatë pa u dëmtuar pjesërisht, edhe nese ka kohë që është përgatitur për një situatë të tillë. Asnjë kompani nuk do ta kalonte këtë situatë, sepse kjo pandemi paralizon aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve. Rrjedhimisht, dëmi që buron nga ajo nuk mund te ndalohet, mirëpo vetëm të menaxhohet. Dëmet të cilat burojnë nga ky virus, nëse vazhdon të përcaktojë rrjedhën e jetës ekonomike në vendin tonë, do të jenë të mëdha. Ne vazhdimisht jemi duke dëgjuar shifra alarmante të dëmeve ekonomike në baza ditore dhe mujore, të cilat ilustrojnë impaktin e këtij virusi në ekonominë tonë. Të gjithë ne, së bashku si shoqëri, do të jemi shumë shpejtë dëshmitarë të këtyre dëmeve, pasi që shumë biznese të vogla në fund të këtij procesi nuk do të ekzistojnë më.

Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se si çdo gjë tjetër e dëmshme e cila ka sfiduar botën, edhe kjo pandemi do të përfundoj. Do të gjendet një shërim/zgjidhje, pasi kur incentiva e vetme për njeriun mbetet mbijetesa ne gjithmonë dalim fitimtar. Ekonomia do të ristartohet disi, jeta nuk mbaron këtu, do të ketë dëme të konsiderueshme po përsëri do të ngrihemi. Në një situatë të tillë, Covid-19 përbën një mundësi të fshehur pas një sfide të vështirë për Kosovën.

Kurrë më parë në pozitën ekonomike të një shteti, bilanci tregtar negativ nuk ka qenë një bazë e mirë për zhvillim. Mirëpo, kjo situatë është e jashtëzakonshme, rrjedhimisht këndvështrimi i zhvillimit ekonomik ka ndryshuar. Si kurrë më parë mundësia e zëvendësimit të importit me produkte vendore nuk ka qenë më e mirë. Pas tejkalimit të kësaj pandemie, të gjitha kompanitë do të jenë të etura për para. Andaj, është shumë e rëndësishme që paranë e gatshme maksimalisht të tentojmë ta mbajmë brenda shtetit, si masë parandaluese e dëmtimit të mëtutjeshëm të ekonomisë së vendit, duke zgjedhur produktet vendore para atyre të importuara.

Duke qenë se jemi një shtet që nuk eksportojmë shumë dhe rrjedhimisht nuk jemi të varur nga vendet e tjera, ngritja ekonomike në nivelet e mëparshme do të jetë më e lehtë krahasuar me vendet tjera, të cilat për t’u ngritur në pozitat e mëparshme, duhet që të rimëkëmben tregjet në të cilat kanë eksportuar fillimisht. Një qëndrim i përbashkët i prodhuesve vendorë lidhur me ofrimin e termave të pagesave jashtëzakonisht të favorshme, në skajet e limiteve të strategjive të menaxhimit të Cash-it, ndaj njëri-tjetrit, mirëpo edhe ndaj distributorëve të tyre, padyshim se do të përshpejtonte këtë proces.

Zgjidhja e situatës së vështirë ekonomike në vend është para nesh dhe për më tepër është shumë e thjeshtë. Nëse në këto kohë të vështira, përfundimisht nuk vetëdijesohemi të duam produktin vendor dhe kushtimisht ta zgjedhim atë para produktit të importuar, vetëm sa do të thellojmë krizën ekonomike. Në rast të mos vetëdijesimit shoqëror, prodhuesi vendor do të mbetet shumë i ekspozuar ndaj kësaj krize ekonomike. Nëse ne, nuk i ndihmojmë kompanitë prodhuese vendore, kush mendoni se do t’i ndihmojë? Mos vallë banorët e Italisë, Maqedonisë apo edhe Shqipërisë do të vinë në Kosovë e të blejnë produkte vendore. Në kohë sfide, historikisht kemi treguar se si popull dimë të bëjmë qëndresë të hekurt ndaj çdo dukurie që na dëmton. Andaj, tani është koha më e duhur që një herë e mirë të vetëdijesohemi dhe të përkrahim prodhuesit vendorë më shumë se kurrë në këto kohë të vështira, për të vazhduar në përkrahjen e vazhdueshme të produkteve tona ashtu si çdo shtet tjetër i zhvilluar.

Pas fazës së parë të rimëkëmbjes së ekonomisë, duhet marrë parasysh koston e ulët të prodhimit në Kosovë për shumë produkte të industrive të ndryshme, krahasuar me vendet e rajonit dhe ato evropiane. Në këto kohë të vështira ekonomike, prodhuesi vendor do të gjendet përballë një mundësie shumë të mirë: të penetrimit të tregjeve të reja evropiane dhe dominimit të konkurrencës përmes çmimeve të lira dhe njëkohësisht kualitetit të lartë të produkteve.

Më tutje, lëvizja e lirë, fillimisht do të fillojë të normalizohet përbrenda secilit shtet, përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës. Mirëpo, lëvizja e lirë në Evropë dhe në botë, do të kërkojë kohë të gjatë që të rikthehet në nivelet e mëparshme. Rrjedhimisht, shtetet e ndryshme, të cilat janë të varura nga të hyrat e turizmit, të tilla si Shqipëria, do të dëmtohen jashtëzakonisht shumë deri në fund të këtij procesi. Fatmirësisht për ne, Kosova nuk është e varur nga të ardhurat e turizmit. Pavarësisht kapacitetit dhe potencialit të madh që ofron turizmi malor në Kosovë, ne nuk e kemi të zhvilluar këtë industri.

Pas një izolimi social, njeriu si një qenie sociale do të tentojë pa kompromis që të kompensojë kohën e humbur. Rrjedhimisht, marrë parasysh që lëvizja e lirë ndër-shtetërore nuk do të jetë ende e lejuar në atë kohë, ne do të gjendemi në një situatë ku do na duhet të eksplorojmë bukuritë e vendit tonë dhe të shërbehemi me madhështitë që na ofron vendi ynë. Andaj, zhvillimi i industrisë së turizmit pas kësaj pandemie është një skenar më se i mundshëm dhe shpresoj që secili prej nesh do të edukohemi rreth bukurive dhe potencialit të turizmit në vendin tonë e mos të harrojmë të vizitojmë këto bukuri edhe pas kësaj krize.

Të gjithë jemi dëshmitarë sesi shumë kompani të cilat kanë përdorur vetëm format konvencionale të distribuimit të produkteve të tyre, duke i rezistuar kështu transformimit digjital, të gjendur përballë një situate të vështirë ekonomike janë shndërruar në kompani inovatore dhe kanë gjetur forma të ndryshme unike për qasjen e klientëve të tyre. Nga krijimi i pakove të ndryshme të produkteve ushqimore (bundle offer) dhe dërgimi i tyre përmes opsionit “free delivery”, direkt tek konsumatori, nga zinxhirët më të mëdhenj të super marketeve në Kosovë, dërgimi i ujit direkt në shtëpinë tuaj e deri tek dërgimi i kafesë me “dron” në shtëpinë tuaj, janë disa nga transformimet e kanaleve të distribuimit të cilat kompanitë e ndryshme vendore i kanë ndërmarrë në momentin kur janë ballafaquar me këtë situatë të jashtëzakonshme. Shpresojmë se kjo situatë ia ka ilustruar qartë kompanive vendore se implementimi i strategjive të ndryshme inovative është në benefitin e të dy palëve – për konsumatorin dhe për kompaninë. Uroj që iniciativat e tilla të mos mungojnë edhe në të ardhmen, meqë kanë rezultuar si të suksesshme. Në rast të vazhdimit të transformimit të proceseve, kompanitë vendore do të zhvilloheshin edhe më tej duke rritur shanset me depërtimin në tregjet e reja.

Së fundmi, një tjetër përfitim që mendoj se rrjedh nga kjo situatë e jashtëzakonshme, është pavarësimi i ekonomisë vendore nga “xhokeri” ynë financiar – remitencat. Pas përkrahjes së vazhdueshme nga diaspora, mendoj se ka ardhur koha që ne të reflektojmë si shoqëri dhe të gjejmë forma tjera të arkëtimit të të hyrave nga shtetet tjera, përmes eksportimit të produkteve ose shërbimeve të ndryshme dhe jo remitencave. Të gjendur përball një situate të vështirë ekonomike, bashkatdhetarët tanë gjithashtu do të ndikohen nga kjo situatë dhe rrjedhimisht remitancat do të pësojnë ulje. Njëkohësisht, të ndodhur përball një situate të vështirë ekonomike, pranuesit e remitencave do të vetëdijesohen dhe nxiten të ndërmarrin veprime konkrete që të pavarësohen përfundimisht nga ky burim “parazit” i të ardhurave. Pjesa më e madhe e remitencave nuk përdoren për multiplikimin e mëtutjeshëm të parasë ose të hyrave, mirëpo ato kryesisht investohen në konsum, si: 33.1% e tyre përdoren për konsum aktual, 13.2% konsum tjetër, 12.2% investime në shtëpi, 11.4% investime në kapital human, 11.4% investime biznesore, 10% pagesa të borxhit dhe 8.8% në kursime.

Marrë parasysh të gjitha skenarët e prezantuar më sipër, mendoj se pas sfidave shumë të vështira me të cilat se padyshim se do të jetë e vështirë të ballafaqohemi, na presin shumë mundësi të mira. Është zgjedhja jonë si shoqëri se si do t’u qasemi këtyre mundësive, se a do t’i përqafojmë ato dhe t’i vjelim benifitet që sjellin, duke u vetëdijesuar një herë e përgjithmonë, apo do t’i lëmë të na kalojnë dhe të kthehemi përsëri aty ku ishim para se kjo pandemi të na kaplonte.