LAJMI I FUNDIT:

MSh me investime në vlerë 1 milion e 770 mijë euro në Klinikën e Neurokirurgjisë

MSh me investime në vlerë 1 milion e 770 mijë euro në Klinikën e Neurokirurgjisë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të martën se në Klinikën e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka arritur një aparaturë e re në vlerë të 1 milion e 770 mijë euro.

Sipas njoftimit, kjo aparaturë e re do të bëjë të mundur ofrimin e shërbimeve të cilat nuk janë ofruar më parë.


“Në vazhdën e investimeve të Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim të shtimit të shërbimeve të cilat do të ofrohen për herë të parë në institucionet publike shëndetësore, në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK tashmë ka arritur pajisja e re, gjeneratë e fundit e teknologjisë”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje bëhet e ditur se ky shërbim i ri përfshin intervenime të cilat nuk kanë qenë të mundura të realizohen më parë në QKUK, veçanërisht për rastet të cilat diagnostikohen me forma më agresive të kancerit që origjinën e kanë në tru.

“Me fillimin e këtij shërbimi të ri në Klinikën e Neurokirurgjisë, do të reduktohet edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit. QKUK po zbaton planin dinamik përgatitor me qëllim të funksionalizimit të aparaturës, ndërsa bashkë me pajisjet e tjera siç janë sistemi i fluoroskopisë 3D, neuroendoskopi dhe tabela e kirurgjisë kurrizore, vlera e investimeve në Klinikën e Neurokirurgjisë arrin në vlerën 1 milion e 770 mijë euro”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/