Autoritetet e MPB-së aktualisht janë duke punuar në miratimin e disa akteve ligjore dhe në përditësimin e sistemit "Safe City" me të dhëna të sakta, ndërkohë që po vendosen edhe kamera të tjera të sigurisë përgjatë korridoreve 8 dhe 10.

Këto kamera, sipas autoriteteve të MPB-së, së shpejti do të vihen në funksion për fazën e testimit, ndërsa pas përfundimit të testimit dhe miratimit të akteve ligjore, më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i plotë i sistemit “Qyteti i Sigurt” në të gjithë territorin e vendit, bëjnë të ditur nga MPB.


“Aktualisht, sistemi “Qyteti i Sigurt” funksionon në territorin e qytetit të Shkupit, ndërsa së shpejti planifikohet aktivizimi i tij edhe në Kumanovë dhe Tetovë. Pajisjet tashmë janë të vendosura edhe në korridoret 8 dhe 10 dhe në çdo moment pritet të fillojë detektimi i shkeljeve në trafik edhe atje. Gjatë vitit 2026 është paraparë që sistemi të fillojë të funksionojë në të gjithë territorin e shtetit. Tanindodhemi në një periudhë testuese, gjatë së cilës qytetarët marrin vetëm paralajmërim për shkeljen e trafikut të kryer. Është paraparë që nga data 01.02.2026 sistemi të funksionojë plotësisht dhe të fillojë sanksionimi i qytetarëve që kryejnë shkelje të evidentuara nga kamerat", deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.

Nga MPB deklaruan se periudha e deritanishme e testimit të sistemit “Qyteti i Sigurt” ka treguar rezultate të shkëlqyera. Sipas autoriteteve, qytetarët nga dita në ditë kanë përmirësuar sjelljen dhe mënyrën e vozitjes në rrugët e vendit, duke u treguar më të përgjegjshëm dhe duke respektuar rregullat e komunikacionit.

Gjatë zbatimit të këtij sistemi parashihet të ketë një tolerancë të vogël të shpejtësisë, por kjo tolerancë do të vlejë vetëm për tejkalime minimale dhe nuk do të përjashtojë përgjegjësinë penale apo administrative për shkeljet që mund të shkaktojnë rrezik në komunikacion. Përfaqësuesit e MPB-së vlerësojnë se përmes këtij sistemi do të rritet siguria e qytetarëve në komunikacion dhe do të ulet ndjeshëm numri i aksidenteve të rënda në trafik me pasoja fatale.