MPB: Instalimi i kamerave për "Safe City" në Kumanovë, ende nuk është përfunduar plotësisht

Përveç Shkupit, Kumanova dhe Tetova janë komunat në të cilat po lançohet “Safe City”, sistemi elektronik për zbulimin e shkeljeve të trafikut. Në Kumanovë kamerat në fjalë janë në instalim e sipër.
Të njejtat tashmë janë instaluar në disa pjesë të qytetit. Periudha e testimit është duke vazhduar, por sistemi nuk është ende plotësisht aktiv.
Duke filluar nga hyrja e Kumanovës, kamerat “Safe City” janë instaluar tashmë përgjatë dy bulevardeve kryesore, zonës qendrore dhe rrugëve rajonale.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njohton se instalimi i kamerave në Kumanovë nuk është përfunduar ende plotësisht.
“Po punojmë për zbulimin e pikave kritike ku do të instalohen kamerat. Tani për tani, është duke u zhvilluar një periudhë testimi në të cilën duhet të përcaktojmë nëse ka ndonjë mangësi dhe palogjikshmëri në sistem” – thonë nga MPB.
Nga 1 shkurti, kur edhe përfundon periudha testuese, qytetarët nuk do të marrin më paralajmërime, por gjoba.
Banorët e Kumanovës shpresojnë se sistemi do të kontribuojë në rregullimin e trafikut kaotik në qytet. Ata presin që gjobat ti edukojnë qytetarët të mos i shkelin rregullat në komunikacion.


































