LAJMI I FUNDIT:

(Mos)kujdesi i dorës së shtetit për Kullat e Jasharëve

(Mos)kujdesi i dorës së shtetit për Kullat e Jasharëve

26 vite janë bërë nga momenti kur Kullat e Jasharëve në Prekaz janë kthyer në identifikim të historisë, ato asnjëherë nuk i preku dora e shtetit. Asnjë intervenim nuk u bë ende për të mbajtur në këmbë shtëpinë e cila bëri historinë e Kosovës.

Vetëm një ditë para fillimit të “Epopesë së UÇK-së”,  filloristët po ngjiten shkallëve që janë mburojë për kullat e familjes Jashari.


Pesha e historisë është e madhe, por kujdesi ndaj këtyre kullave që bënë historinë e Kosovës duket të jetë i zbehtë.

Është vendi ku bëjnë hapa qindra vizitorë në kompleksin “Adem Jashari”,  por gjendja e tyre nga dita në ditë është duke u rënduar.

Shaku i gjendjes jo të sigurt arsimorët nuk patën guximin që nxënësit t’i lejonin që të ngjiten shkallëve.

“Është rrezik për fëmijët pasi vijnë më mijëra e mijëra në ditë me vizitu vendin. Unë desha që fëmijët me shku lartë por nuk pata guxim me i lanë se është rrezik më shku lartë shkallëve. Është dashur ma herët me intervenu, këta kanë dhanë shumë ma shumë se kullat dhe janë monumente që duhen të ruhen e jo të shkatërrohen se këto nga dita në ditë po vinë tu u shkatrru”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin Ismet Topalli- arsimtar i shkollës fillore.

Të dëshpëruar me gjendjen, ishin edhe vizitorët e tjerë.

“Gjendja qenka e mjerueshme, ashtu siç po shihet, duhet dora e  institucioneve me bë një intervenim të tërë”, ka deklaruar vizitori Valton Krusha.

Ai që ishte pjesë e çdo komisioni qeveritar, Emin Lati, për mos intervenimin tek kullat e Jasharëve ka ndikuar shumë ndërrimi i shpeshtë i qeverive.

Kryetari i OVL-UÇK-së në Skenderaj ka shprehur zhgënjimin që ky qytet kësaj radhe është lënë anash nga këshilli organizativ për Epopenë nga Qeveria e Kosovës.

“Fatkeqësisht po bie qeveria e bashkë me të po bie edhe komisioni. 25 vjet pas luftës këto punë  nuk është dashuar të bëhen llaf hiq”, shtoi ai.

Ministrinë e Kulturë kishte hapur një tender për zhvillimin e master planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ku vlera totale e këtij tenderi ishte 3 milionë euro, por që lënda kishte qëndruar për një kohë në OSHP.

Një operator ekonomik ka dorëzuar padi në Gjykatën Komerciale, pasi i njëjti nuk e fitoi tenderin për master planin për kompleksin memorial “Adem Jashari”.