Është ndoshta një nga gjërat që nuk dëshironi të neglizhoni kur bëhet fjalë për pastrim në shtëpi – por ka metoda shumë më efektive sesa të hidhni zbardhues në tualet, thonë ekspertët e higjienës shtëpiake.

Edhe pse zbardhuesi pastron dhe dezinfekton tualetin, me kalimin e kohës ai mund të dëmtojë porcelanin. Ai gjithashtu mund të njollosë fugat dhe të lëshojë gazra të dëmshëm.


Gjithashtu nuk është aq efektiv në trajtimin e gëlqeres së fortë dhe të vështirë për t’u hequr, krahasuar me disa produkte natyrale pastrimi.

Në vend të tij, gjithçka që ju nevojitet për ta bërë tualetin tuaj të shkëlqejë sërish është pak uthull e bardhë e zakonshme.

“Edhe pse është efektiv për vrasjen e mikrobeve, zbardhuesi me kalimin e kohës mund të gërryejë porcelanin, duke e lënë të zbehtë dhe të ashpër. Gjithashtu mund të reagojë me fugat me ngjyrë, duke i bërë ato të zbehen ose të ndryshojnë ngjyrë,” – thotë Ryan McNicholl nga furnizuesi i pajisjeve hidraulike Spares Direct.

Edhe prodhuesit e seteve për banjo Superbath i inkurajojnë njerëzit të përdorin uthull të bardhë.

“Kur bëhet fjalë për heqjen e gëlqeres, uthulla e bardhë është fantastike. Ngrohni gjysmë litër uthull të bardhë – nuk ka nevojë të vlojë. Hidheni me kujdes në skajet e kupës së tualetit dhe lëreni të qëndrojë për të paktën një orë. Do të ishte edhe më mirë nëse do ta linit gjithë natën. Më pas, përdorni një furçë – njollat duhet të zhduken”.

“Pastroni sipër dhe poshtë kapakut të tualetit me një përzierje uji me sapun, duke shtuar uthull të bardhë. Përdorni një sfungjer ose një leckë mikrofibër”.

Ekspertët thonë se kjo duhet të përsëritet një herë në javë për ta mbajtur tualetin të freskët, të pastër nga mikrobet dhe për të eliminuar gëlqeren.

Ata madje shkojnë edhe një hap më tej – dhe i nxisin njerëzit të pastrojnë edhe butonin e shpëlarjes, një vend që, siç mund të pritet, mbart shumë mikrobe, duke pasur parasysh që e prekni përpara se të lani duart.

“Ne gjithmonë i lajmë duart pas përdorimit të tualetit. Megjithatë, ndërmjet momentit kur e përdorim tualetin dhe momentit kur i lajmë duart, ne tashmë kemi prekur butonin e shpëlarjes. Prandaj, është shumë e mundur që aty të ketë shumë baktere. Pastrojeni rregullisht me një përzierje uthulle të bardhë dhe dy pika vaj esencial çaji”.