Mos e vendosni më kremin në lëkurë të thatë: Gabimi që po ua dëmton fytyrën pa e ditur

Nëse gjithmonë keni preferuar ta aplikoni kremin në lëkurë të thatë, ka ardhur koha ta ndryshoni këtë zakon
Do të mendonit se aplikimi i kremit hidratues në fytyrë është një hap i thjeshtë, që nuk kërkon udhëzime të posaçme. Megjithatë, sipas zbulimeve të fundit nga bota e kujdesit për lëkurën, shumë prej nesh bëjnë një gabim kyç - presim që fytyra të thahet plotësisht para se të aplikojmë kremin. Ky detaj i vogël mund të duket i parëndësishëm, por rezultatet shihen në lëkurë: thatësi, ndjesi tërheqjeje dhe shfaqje të vijave të imta që mund t’i shmangnim lehtësisht.
Mënyra e saktë e aplikimit të kremit hidratues mund të jetë sekreti që nuk e dinim se na duhej.
Në TikTok është bërë viral trendi i quajtur “air drying” - tharja e fytyrës në ajër. Sipas këtij qasjeje, përdoruesit e lënë lëkurën të thahet vetë, pa peshqir, para se të vendosin produktet. Ideja pas kësaj metode është se tharja natyrale redukton rrezikun e baktereve nga peshqirët dhe irritimet nga fërkimi. Edhe pse në pamje të parë kjo duket logjike, ekspertët paralajmërojnë se nuk është mënyra më e mirë për të arritur hidratim maksimal.
Daniel Isaacs, ekspert i kujdesit për lëkurën dhe drejtor i produkteve në markën Medik8, e kundërshton mitin e tharjes në ajër. “Është një besim i zakonshëm se tharja e lëkurës në ajër është mënyra më e mirë për të shmangur irritimet dhe për t’i lejuar lëkurës të ‘marrë frymë’. Por në fakt, kjo mund të çojë në humbje të lagështisë dhe në një thatësi edhe më të madhe,” thotë Isaacs. Edhe pse kjo ide duket logjike, ajo anashkalon një fakt kyç: lëkura, kur është krejtësisht e thatë, nuk e përthith në mënyrë efikase hidratimin.
Këtu hyjmë te një koncept që mund të ndryshojë plotësisht mënyrën si kujdeseni për lëkurën - humbja transepidermale e ujit (TEWL). Kur e lini lëkurën të thahet krejtësisht, lejoni që uji të avullojë nga shtresat e sipërme të saj në ajër, duke përshpejtuar dehidratimin. Rhysa Phommachanh, eksperte e kujdesit për lëkurën nga Landys Chemist, shpjegon se tharja në ajër në fakt kontribuon në rritjen e TEWL-it, duke e lënë lëkurën të cenueshme ndaj thatësisë, tensionimit dhe shfaqjes së vijave të holla.
“Kur lëkura ekspozohet për shumë kohë në ajër, ajo dehidratohet, dhe ky proces përshpejton shfaqjen e rrudhave dhe ul elasticitetin,” shpjegon Phommachanh. Uji që qëndron në sipërfaqen e lëkurës gjatë tharjes natyrale nuk e mban lagështinë, përkundrazi, e avullon. Si rezultat, lëkura humb lagështi të çmuar dhe bëhet më e thatë dhe më e brishtë, transmeton Telegrafi.

Pra, si të rrisni efektivitetin e kremit hidratues?
Sipas Daniel Isaacs, çelësi është ta aplikoni kremin ndërsa lëkura është ende pak e lagësht. “Aplikimi i kremit hidratues në lëkurë të lagësht ndihmon në bllokimin më efikas të lagështisë,” thotë ai. Lëkura e lagësht e përthith më mirë hidratimin, duke rritur efektivitetin e produktit. Kur lëkura është pak e njomur, kremi vepron si një barrierë që “mbyll” ujin brenda saj, duke siguruar hidratim më të zgjatur dhe një ndjesi më të butë.
Në këtë mënyrë, kremi hidratues krijon një shtresë mbrojtëse që pengon avullimin e ujit nga sipërfaqja e lëkurës, duke e mbajtur lagështinë aty ku i duhet më shumë. Rezultati? Lëkurë më e plotë, më e butë, më e shndritshme dhe më e shëndetshme, me më pak vija të holla.
Disa këshilla praktike për aplikimin e duhur të kremit hidratues:
1.Lani fytyrën me ujë të vakët – shmangni ujin shumë të nxehtë, sepse heq vajrat natyralë të lëkurës.
2.Mos e thani plotësisht fytyrën – thajeni me lehtësi duke e tamponuar me peshqir, duke e lënë pak të lagësht.
3.Aplikojeni kremin menjëherë – mos prisni. Vendoseni sapo të ndjeni lagështi të lehtë në lëkurë, në mënyrë që lagështia të mos avullojë.
4.Zgjidhni krem me përbërës të mirë hidratues – kërkoni produkte me acid hialuronik, glicerinë ose ceramide.
5.Mos e teproni me produktet – shumë shtresa pengojnë absorbcioni e duhur të hidratimit.
Nëse gjithmonë keni aplikuar krem në lëkurë të thatë, është koha ta ndryshoni këtë zakon. Aplikojeni ndërsa lëkura është ende pak e lagësht dhe do të shihni se si ajo bëhet më e butë, më e hidratuar dhe më e ndritshme. Me këtë ndryshim të vogël, por shumë të rëndësishëm, siguroheni që produkti juaj i preferuar hidratues të japë efektin maksimal, duke e mbajtur lëkurën tuaj të freskët dhe rinore.
Kështu që, herën tjetër kur vendosni kremin, mbani mend: lëkura pak e lagësht është çelësi për një ten të shëndetshëm! /Telegrafi/
















































