Mori pushim pa pagesë nga puna për të luajtur në Kupën e Botës për Klube, Tracey takoi idhullin e tij

Në raundin e parë të Kampionatit Botëror për Klube, Auckland City u mposht me rezultatin e thellë 10:0 nga Bayern Munich.
Megjithatë, pavarësisht disfatës së rëndë, portieri i skuadrës nga Zelanda e Re, Conor Tracey, kishte arsye për të qenë i lumtur.
Bavarezët dominuan ndeshjen, me Jamal Musiala që realizoi tre gola, Kingsley Coman dhe Michael Olise nga dy secili, ndërsa Thomas Müller dhe Sacha Boey shënuan nga një herë.
Por për 28-vjeçarin Tracey, ndeshja pati një moment të veçantë personal: Ai përmbushi një ëndërr të fëmijërisë duke pasur mundësinë të shtrëngonte duart me Manuel Neuer, një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit.
Auckland City është një klub amator, dhe shumica e lojtarëve të tij janë të punësuar në profesione të tjera përveç futbollit.
Tracey punon si punëtor magazine në një kompani farmaceutike veterinare dhe për të marrë pjesë në këtë turne, iu desh të marrë pushim pa pagesë nga puna.
"Është e vështirë të përballosh qiranë dhe faturat këtë muaj, por të luash në një turne si ky ia vlen çdo sakrificë", deklaroi Tracey.
Portieri i Auckland City do të jetë sërish mes shtyllave më 20 qershor kundër Benficas, ndërsa skuadra do ta mbyllë pjesëmarrjen e saj më 24 qershor ndaj Boca Juniors. /Telegrafi/



















































