Ndryshimet në personelin e Bankës Kantonale Baselland (BLKB) kanë shkaktuar një “tërmet” mediatik në Zvicër.

Banka Kantonale e Baselland (BLKB) ka njoftuar një humbje të madhe financiare prej 105.5 milionë frangash zvicerane, e cila ka sjellë pasoja të menjëhershme në drejtimin e saj: CEO i bankës, presidenti i bordit dhe presidenti i Radicant pritet të largohen nga pozitat deri në vitin 2026.


Mediumi zviceran “MoneyToday.ch” ka publikuar një artikull ku shpjegon zhvillimin e kësaj situate dhe ndarjen e përgjegjësive midis BLKB dhe filialit të saj, neo-bankës Radicant.

Sipas këtij mediumi neo-banka Radicant u krijua pas blerjes së startup-it të kontabilitetit Numarics dhe që nga fundi i vitit 2024, ka operuar përmes dy njësive: Radicant Bank AG dhe Radicant Business Services AG.

“Moneytoday” përmend se po raportohet njëanshëm rreth problemit të fundit mes BLKB dhe Radicant.

“Ngjarjet e fundit ndoshta nuk janë aspak të padëshiruara për politikanët e Baselit. Ata gjithmonë e kanë pasur në shënjestër degën jopopullore të BLKB, Radicant, dhe kanë kohë që veprojnë me një mision, dhe tani po kërkojnë një komision hetimor parlamentar "për të sqaruar rrëmujën"”, shkruan mediumi zviceran.

Koncepti për Radicant u zhvillua nga bashkëthemeluesi dhe CEO, Anders Bally, dhe ekipi i tij, që nga prilli i vitit 2021. Si projekti më ambicioz në portofolin FinTech të BLKB-së, neo-bankës iu dha një periudhë e gjatë përgatitore dhe lansimi u shty disa herë. BLKB investoi një shumë të konsiderueshme kapitali në këtë projekt.

Dy drejtues të përkohshëm nga radhët e Radicant u desh të merrnin drejtimin dhe pas vështirësive fillestare, banka e parë vërtet “e gjelbër” u lansua në verën e vitit 2023. Fillimi ishte i vështirë dhe u bë e qartë se qasja tepër e orientuar drejt qëndrueshmërisë nuk do të çonte në numrin e dëshiruar të klientëve.

Megjithatë, që nga fundi i vitit 2023, me ardhjen e drejtorit të ri Anton Stadelmann, strategjia e Radicant ka ndryshuar rrënjësisht. Banka ka rifituar besimin e klientëve, duke arritur 18 mijë përdorues dhe është renditur e para në disa krahasime të shërbimeve financiare në Zvicër për vitet 2024 dhe 2025.

Radicant synon zgjerim në sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) dhe po planifikon lançimin e një aplikacioni të ri deri në fund të vitit.

Karakteristikat teknologjike të ish-Numarics pritet të luajnë një rol kyç në produktet e ardhshme. Llogaria për SME-të është në zhvillim dhe aplikacioni do të jetë në dispozicion së shpejti.

“Dëmtimi masiv prej 105.5 milionë franga zvicerane ka të ngjarë të jetë gjithashtu për shkak të llogaritjeve të gabuara. Bashkimi i Radicant dhe Numarics u përfundua në fund të vitit 2024”, shkruan mediumi zviceran.

Përfundimisht, sipas analizës së këtij mediumi, kriza financiare ka ndodhur te BLKB dhe jo te vetë neo-banka Radicant, e cila duket se është në rrugën e duhur drejt stabilizimit dhe rritjes. /Telegrafi/