Një video e re ka dalë nga Çmimi i Madh i Meksikës, duke treguar momentin e frikshëm kur dy komisarë të garës rrezikuan të goditeshin nga makina e Liam Lawson gjatë garës së së dielës.

Piloti i Racing Bulls, Lawson, po dilte nga bokset pas ndërrimit të krahut të përparmë të makinës kur u detyrua të frenonte me urgjencë për të mos goditur dy komisarë që po kalonin pistën për të pastruar mbeturinat.


Skena u bë edhe më dramatike pasi njëri prej komisarëve kaloi vetëm pak centimetra larg makinës që po afrohej me shpejtësi.

I tronditur, 23-vjeçari reagoi menjëherë në radio: “Çfarë djalli ishte kjo? O Zot, a po bëni shaka? Isha gati t’i vrisja!”.



Pamjet kanë shkaktuar reagime të ashpra nga tifozët, të cilët kanë kritikuar Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) për mungesë sigurie dhe komunikimi.

Një përdorues shkroi në rrjete sociale: “Kjo është çmenduri e plotë, e papranueshme”. Ndërsa një tjetër shtoi me ironi: “Për një rrotullim të Sainz aktivizoni menjëherë VSC, por për dy njerëz në pistë jo. Turp!”.

Pas garës, edhe vetë Lawson u shpreh i habitur.

“Nuk mund ta besoja çfarë po shihja. Dola nga bokset me goma të reja dhe në kthesën e parë pashë dy njerëz që po vraponin nëpër pistë. Isha gati të godisja njërin prej tyre. Ishte jashtëzakonisht e rrezikshme.”

Ai shtoi se “diçka ka shkuar keq në komunikim” dhe se “kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë në Formula 1”.



Pas reagimeve të shumta, FIA publikoi një deklaratë zyrtare ku sqaroi se incidenti ndodhi për shkak të një keqkuptimi mes drejtuesve të garës dhe personelit në pistë.

Sipas tyre: “Pas një incidenti në kthesën e parë, u raportua prania e mbeturinave në pistë. Komisarët u vendosën në gatishmëri për t’i pastruar pasi të kalonin të gjitha makinat. Por në momentin kur Lawson doli papritur nga bokset, urdhri për të hyrë në pistë u anulua, megjithatë ndodhi një keqkuptim që çoi në këtë situatë të rrezikshme. Hetimet janë ende në zhvillim”./Telegrafi/

telegrafi sport app