Modric zgjedh trashëgimtarin e tij, ia jep fanellën e tij të fundit të Real Madridit dhe ia kalon stafetën

Luka Modric duket se e ka lënë ‘trashëgimtarin’ e tij te Real Madridi, pasi është parë duke ia dorëzuar fanellën e tij talentit të madh turk, Arda Guler pas mbërritjes në Spanjë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Modric i ka dhënë fund karrierës së tij të suksesshme te Real Madridi pas Kupës së Botës për Klube.
Futbollisti veteran kroat do të kalojë momentet e fundit të karrierës së tij profesionale te AC Milan pas më shumë se një dekade me fanellën e bardhë.
Vendi i Modric në mesfushën e Real Madridit do të jetë po aq i vështirë për t’u mbushur sa ai që la Toni Kroos sezonin e kaluar.
Dhe ashtu siç gjermani emëroi Fede Valverden si trashëgimtarin e tij me një “transferim pushteti” të rëndësishëm duke i dhënë atij fanellën me numrin '8', duket se kroati ka dashur t’ia kalojë stafetën një tjetër futbollisti të talentuar, Arda Gulerit.
Ende nuk dihet nëse talenti i ri turk do ta veshë fanellën me numrin '10' të Modricit, pasi është një numër shumë i kërkuar në dhomën e zhveshjes, por ajo që është e qartë është se Luka donte të bënte një gjest të veçantë për të në ditën e tij të fundit si lojtar i Real Madridit.
Legjenda kroate ia ka dhuruar një nga fanellat e tij kur zbritën nga autobusi që i çoi në Valdebebas pasi mbërritën në Spanjë nga ShBA-të. /Telegrafi/










































