LAJMI I FUNDIT:

Mizioni dhe hetuesi me emrin Ziks

Mizioni dhe hetuesi me emrin Ziks

Është mësuar Zeza me Mizione të huaja. Ka parë e përjetuar pushtimin romak, bizantin, turk, sllav, bullgar, serb, italian, gjerman, austriak e tartar. Vetëm në shekullin e fundit, këtu janë ndërruar më shumë se dhjetë pushtues. Mizioni i ri, që mori nën administrim Zezën, përbehej nga të gjitha racat. As edhe pas njëzet vjetësh nuk e gjen edhe një zijosh që di të thotë emrat e shteteve prej nga erdhën administratorët e ri që u vendosën në Zezë. Më askush nuk po merrej më simbolet e ndonjë shteti që kishte ardhur për të vendosur rend. Flamuj e njerëz të të gjitha ngjyrave, kalëronin në të katër anët e fshatit. Vetëm Ajeti i Zezës trazonte imagjinatën se si është e mundur, që në një kësi fshati të vogël të ketë vend për aq shumë njerëz të ardhur. Përkthyes të gjitha gjuhëve të botës kalëronin e shoqëronin çdo njeri të ardhur. Gjuha e çdo folësi, se pari përkthehej në gjuhën e Mizionit, dhe vetëm pasi përktheheshin fjalimet e letrat në gjuhët amtare të ligjëruesve, në fund pak fjalë përktheheshin në gjuhën e zijoshëve. Jo që mund të siguronte Zeza përkthyes për aq shumë gjuhë, por në vitet e para e pati vështirë t’u bëjë konak gjithë atyre të ardhurve. Me kalimin e ditëve, disa hetues të huaj po interesoheshin për mitet dhe rapsoditë e vjetra. Vrasja e Mulziut akoma ishte temë bisede. Balada për Mulziun, nuk ishte harruar akoma, megjithëse kishin kaluar njëqind vjet. Të huajt filluan të pyesin për vrasjen e Mulziut, por më shumë interesoheshin për fatin i arkës me para, dhe ku përfundoi ajo.

Vrasjet enigmatike këtu nuk janë risi. Bile do të ishte krejt risi sikur të ishte ndriçuar qoftë edhe një vrasje a zhdukje enigmatike e një zijoshi. Ka ndodhur në vazhdimësi të vriten njerëz në rrugë, në mal, në shpi, në ara, në fshat apo qytet, por vrasësit nuk janë identifikuar kurrë.

Edhe Mizioni i fundit në Zezë, i përbërë nga të gjitha racat njerëzore, nuk solli asgjë të re. Hetuesit që erdhën, të gjithë nisnin hetimet nga dosja e Mulziut, që ishte vrarë e zhdukur para një shekulli. Shumë nga hetuesit e huaj ishin informuar se bashkë me Mulziun ishte zhdukur edhe një arkë plot ari.

Mizioni solli ushtarak, hetues, polic, administrator, inspektor të arsimit e të shëndetësisë, tagrambledhës, gjykatës, prokuror e avokat, por edhe dhjetëra agjenci spiunazhi. Në Zezë vërshuan mbi treqind shoqata joqeveritare. Bile shumicës së agjencive e shoqatave humanitare askush nuk ua dinte as emrin as origjinën, prej nga vinin apo kush i financonte. Në të gjitha fushat u rekrutuan edhe shumë zijosh pa kurrfarë roli, vetëm sa për sy e faqe, por që merrnin paga të mira për kushtet e Zezës. Fitohej përshtypja se, këtu vërtetë punohet diçka. Secili pjesëtar i Mizionit kishte veturë, uniformë të dallueshme, përkthyes, rojë, por edhe trupa sigurimi gjatë punës në terren. Jo në pak raste, secili polic i ardhur kishte, një, dy e tre përkthyes, e të mos flasim për shërbimet tjera. Nëse një polic ishte arab, i duhej përkthyes nga gjuha arabe në gjuhën angleze, pastaj në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Nëse polici ishte turk, duhej përkthyes nga gjuha turke në gjuhën shqipe, pastaj në gjuhën angleze e pastaj, në jo më pak se dhjetë gjuhë të tjera të pakicave kombëtare. Në të shumtën e rasteve, nga shqipja duhej përkthyes për gjuhën serbe, kroate, turke, malazeze, boshnjake, rome, egjiptiane apo edhe gorane . Jo pak herë, ka ndodhur që, për një dënim trafiku, një faturë dënimi të përkthehet në shtatë, deri katërmbëdhjetë gjuhë të botës. Përkthimi i lëndëve gjyqësore ishte tmerr i vërtetë. Kur është fjala për gjykatës, patjetër duhej të siguroheshin përkthyes, së paku për dhjetë gjuhë të huaja. Nëse prokuroi ishte anglez, hetuesi ishte nga Bengali, ndërsa gjykatësi nga Nepali. Kur formohej kolegji gjyqësor atëherë kriste kiameti fare. Për shkak të kinse neutralitet të kolegjit gjyqësor, ai zakonisht përbehej nga tre, pese, apo edhe shtatë deri nëntë gjykatës nga shtete të ndryshme. Normalisht, në një rrëmujë të tillë, ku qeni nuk e njihte të zotin, nisen të përhapën thashetheme, se shërbimet përkatëse kanë filluar të hartojnë edhe dosje për raste te caktuara të vrasjeve enigmatike. Jo pak herë, viktimat e varrosura, dekada e vite më herët, i zhvarrosen për obduksion e analiza, çfarë zijoshët nuk kishin parë kurrë më parë. Ndodhi që një viktimë të varroset e zhvarroset dy, tre e pesë herë. Meqenëse, kishte jo pak të vrarë, që nuk ishin identifikuar asnjëherë, dolën probleme të reja, ndërsa, shumë herë, u përzien edhe skeletet e zhvarrosura. Kështu shtoheshin edhe shërbimet e ndryshme, mjekësore, ligjore e gjyqësore por edhe gjykatat përkatëse për çdo rast, siç thoshin “sui generis”.

Zijoshët, nëpër shërbime përcjellëse, ashtu siç dihet moti, punësuan familjar të tyre njërin pas tjetrit, pa marrë parasysh se, në shumicën e rasteve, askush nuk kishte edhe një ditë shkollë për profesionin e caktuar. Sa më shumë që komplikohej problemi i hetimit të vrasjeve, zijoshët gëzoheshin më tepër, sepse ashtu atyre ua vazhdonin me lehtë kontratat e punës. Në fillim, zijoshët as nuk kishin ëndërruar sa jetëgjatë do jetë Mizioni. Mirëpo me kohë, duke parë se Mizioni po krijon probleme të reja, zijoshët dukeshin të kënaqur, pasi ikja eventuale e tij, do t’i linte pa pagat, që i merrnin ashtu kot fare..

Me gjasë, Mizioni ishte informuar paraprakisht për shumë të zeza të Zezës. Nëse shfaqej ndonjë problem i panjohur për Mizionin, organizoheshin konferenca ndërkombëtare, në të cilat referonin njerëz që lidhje nuk kishin më traditat e zijoshëve. Sa më shumë të zeza, punë do ketë më shumë për ne, thoshin zijoshët. Edhe shpikja e problemeve të padëgjuara kurrë më parë, ishte e mirëseardhur për zijoshët, pasi ashtu zgjatej qëndrimi i Mizionit të huaj.

Si u bë hetues Qorrziu të cilin e njeh gjithë Zeza?

Ai moti bartë syza të zeza për të mbuluar syrin që e kishte humbur moti në rrethana misterioze, në oborrin e një vejushe, në fshatin Shurrëpelë. Punësimi për te ishte ngjarje e madhe. Shumë zijoshë u kthyen nga jashtë për të zënë pozita të përkthyesve zyrtar, megjithëse nuk dinin më shumë se një fjali: “Tri kacia zall, një çimento”! Se çka duhej përkthyer në gjuhën e zijoshëve, nuk u bë problem asnjëherë, pasi atyre as nuk iu interesonte kurrë se çka po shënojnë anëtarët e Mizionit të ardhur nga jashtë. Qorrziun, duke qenë militant i paskrupullt, partia e nderoi me vendin e punës së hetuesit të krimeve të pazbuluara deri tash. Komisari vendas, që zakonisht merrte urdhra nga komisar i ardhur, nuk kërkoi edhe një dokument nga Qorrziu kur ia lëshoi vendimin për punë. Menjëherë u caktua një hetues mbikëqyrës i ardhur nga jashtë, të cilit zijoshët ia dhanë nofkën Ziks,

Zeza nuk kishte harrua kurrë vrasjen e Mulziut, por as arkën me para që u zhduk me gjithë kufomën. Në koordinim të plotë mes tyre, komisari i ardhur dhe ai vendor caktuan dy hetues për ndriçimin e vrasjes së Mulziut. Kështu, në vend se të merreshin me krimet e fundit, dy hetues kishin detyrë hetimin e një vrasjeje, që kishte ndodhur fiks para një shekulli. Ky hap i Mizionit u prit mirë nga zijoshët, sepse për ta do të kishte më shumë punë, por edhe mundësi për trillime të reja, që nuk ishin dëgjuar më herët. Edhe interesimi për arkën e zhdukur, shtohej përditë.

Shkurret e fshatit Zezë, ku duhej të bëheshin hulumtime, ishin përplot me mbeturina gjithfarësh por edhe ishin bërë vendtakim i shumë femrave të përdala, të cilat, për pak lek, shiteshin për seks, në pik të ditës. Kishte aty, jo vetëm femra të reja, por edhe gra fare të moshuara, që shisnin trupin për seks. Tyxharët e seksit kryenin punë në qendër të Zezës dhe kjo veprimtari nuk i bënte përshtypje askujt. Përgojimet për prostitucion dëgjoheshin fare hapur, pasi në këtë pune ishin përzier aq shumë zijosh, sa nuk dalloheshin nga njëri tjetri, dhe nuk dihej se kush ishte tregtar e cili “mall” seksi !? (sic.)