Historiku

Mitrovica si një ndërthurje mes të kaluarës dhe të tashmes, apo si gurthemel për shumë ngjarje dhe zhvillime gjatë historisë së popullit, ilir e më vonë shqiptarë ishte gjithmonë në qendër të vëmendjes jo vetëm asaj lokale, apo rajonale, por edhe më gjerë.


Qysh në epokën antike, gjatë sundimit romak, Dardania pjesë e cila njihet sot si Kosova, Mitrovica në këtë epokë nën pushtimin romak ishte vend kyç i përpunimit të metaleve dhe shfrytëzimit të resurseve nga pushtuesi, e kjo përcillet gjatë historisë më vonë tek pushtuesi i ardhshëm Bizanti e deri tek sundimi sllavo- serb i mbretërisë së Nemanjiqëve i cili Mitrovicën e shndërroi në qendër ortodokse, kulturoro-ekonomike dhe të gjithë banoret shqiptarë të asaj treve me dhunë tentoi t’i konvertoi në rite dhe tradita ortodokse me qëllim të ndërrimit të realitetit ekzistues dhe krijimit të një të ri me tendencë dhe tentimi të tjetërsimit të kulturës, traditës, zakoneve historisë të popullit shqiptarë të cilat ishin ruajtur me shekuj dhe vënies në pikëpyetje të autoktonisë së popullit vendas shqiptarë në Mitrovicë dhe rajon.

Nga kjo kohë kalojmë në mesjetë e deri tek reformat e tanzimatit dhe luftës së palodhshme të popullit vendas kundër pushtuesit osman në krye me shumë luftëtarë e atdhedashës e sidomos Isa Boletinit dhe shokëve të tij, kulla e sotme në afërsi të Mitrovicës (Boletin), simbolizon vendosmërinë, rezistencën, forcën e konsistente, ruajtjen e identitetit dhe aspiratat apo shpresat për një të ardhme më të mirë të të gjithëve në atë pjesë.

Pas Luftës së Parë Botërore, Mitrovica u mor nën administrimin anglez për shkak të Trepçës dhe minierave që kishte përreth, kjo formë e pushtimit vazhdoi edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ku ushtria gjermane Mitrovicën e “përkëdheli” poashtu nën “kthetrën” e vet dhe kishte trajtim specifik në krahasim me pjesët tjera të Kosovës. Në historinë më të vonshme në ish Jugosllavi, Mitrovica kishte një status të veçantë në opinion gjithashtu dhe një respekt dhe çmim i cili përcillej ndër Republikat tjera të ish Federatës Jugosllave, për shkak të pasurive dhe shfrytëzimit të saj në dobi te shtetit, e sidomos nga Serbia. Ishte po kjo Mitrovicë e cila sfidoi Federatën Jugosllave, kur minatorët e Trepçës me kërkesat e tyre legjitime kundër nënshtrimit, hegjemonisë serbe dhe suprimimit të Kushtetutës së Kosovës dhe Parlamentit, të vitit 1989, kërkuan shkarkimin e udhëheqjes shtetërore të saj kohe, kryetarit Stipe Shuvar, kryetarit dhe shtetit që kishte mbi 23 milionë banorë.

Një deklaratë e ish presidentit Slloven, Milan Kuçan ishte drejtuar Republikës së Serbisë se Mitrovicasit apo minatorët e ngujuar në zgafelle nuk janë nacionalist apo separatist siç i quante vokabulari shovinist serb, por Kuçan thoshte, se aty po mbrohet shteti dhe vlerat më të mira të asaj krijese të ashtuquajtur Jugosllavi.

Nga kjo kohë rrethanat dhe ngjarjet tjera dërguan tek ashpërsimi i situatës dhe eskalimi i saj në luftëra në ish Jugosllavi mes kombeve të ndryshme që dikur jetonin pranë njëri- tjetrit, nga kjo katrahurë nuk shpëtoi as Kosova, pra e as Mitrovica.

Beton Revolucioni në veri të Kosovës

Kaluan 12 vite pas luftës dhe Mitrovica ende nuk ka dal nga ajo gjendje, situata e brishtë e sigurisë ende është prezente edhe pse Kosova tani ka lënë 3 vite të pavarësisë pas dhe tentimit të konsolidimit dhe kompletimit të shtetësisë dhe shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, Mitrovicë, tek e cila ende mungon sot e kësaj dite.

Si rezultat i mosgatishmërisë institucionale dhe vizionit të shtetndërtimit sidomos në zona ku popullata është e përzier, me përjashtime të vogla në pjesët poshtë lumit Ibër, në pjesët veriore të Kosovës ende dora e shtetit është e “paprekshme” dhe në mungesë të saj u krijua një realitet i ri nga pjesëzat apo copëzat e luftës së Kosovës të rindërtuara nga militarë dhe paramilitarë serbë të udhëhequra nga shteti i Serbisë me qëllim të degradimit dhe jofunksionalizimit të Kosovës si një shtet ligjor me të gjitha mekanizmat që ajo duhet ti ketë.

Pra sabotimi dhe tentimi i vazhdueshëm për dështim të Kosovës nga Serbia nëpërmes të instrumentalizimit të disa grupeve apo klane njerëzish me interesa të ngushta ekonomike dhe politike vazhdojn edhe sot dhe janë bërë faktorë relevant në atë pjesë me mospërfilljen e institucioneve vendore që nuk kanë shtrirje atje, bile edhe në sy të faktorit ndërkombëtarë i cili duhej të ishte arbitrarë në disa çaste ku rendi dhe ligji duhej të ushtrohej pa marr parasysh epilogun, në të mirë të qetësisë së vendit dhe rajonit në tërësi.
Këto struktura paralele apo copëza arkaike të mbetura nga regjimi i Millosheviqit dominojnë dhe udhëheqin me popullatën e cila ndoshta edhe dëshiron ta ndjejë shtetin, Kosovën në këto hapësira, por s’mundet nga ndikimi dhe imponimi i faktorit destabilizues.

Të instrumentalizuar nga politika dhe vetëdija e prapambetur e përcjellë qysh nga luftërat e ish Jugosllavisë, ne tani jemi dëshmitarë të një “beton revolucioni ne veri të Kosovës”, ku një grup njerëzish kundër Kosovës dhe shtetit të saj kanë për qëllim ndarjen ilegale fizike nga Kosova, nëpërmes mureve dhe barrikadave të improvizuara edhepse barrierat politike, kulturore veçse ekzistojnë, kjo ndarje dita-ditës shumë e më shumë thellohet, edhepse na duket se kur më afër të integrimit të asaj pjese Kosova nuk është.

Paradox

Qasja e shtetit të Kosovës apo plani në përmbajtje dhe implementim po ngec drejt realizimit të shtrirjes së sovranitetit në veri të vendit. Deri sa Kosova gjithmonë duhet të jetë e ndikuar dhe e dirigjuar nga faktorët ndërkombëtarë të cilët në shumtën e rasteve për shkak të kompromiseve dhe rrethanave ekzistuese është dashtë të bëjnë favore në dëm të Kosovës edhepse politika e Serbisë gjithmonë ka qenë opstrukte dhe jo bashkëpunuese me qarqet ndërmjetësuese ndërkombëtare, roli apo pozita e Kosovës gjithmonë ka qenë jo e barabartë me Serbinë edhepse janë ulur në të njëjtën tavolinë bisedimesh.

Kosova me aq forcë sa ka duhet medoemos ta marr përgjegjësinë mbi vete edhepse për këtë pjesë është vonuar më shumë se kurrë. Sa është prezente shtetësia e Kosovës na tregon vetë fakti i raportuesve medial të cilët raportojnë për ngjarjet në kufi nga pjesa e poshtme e Mitrovicës (50km larg ngjarjeve), paradoks se jo mahi. Pushteti nëse dëshiron të shtrihet, ai duhet të jetë më i afërt apo fleksibil me popullatën e vet, me qytetarët e saj duhet të gjejë mënyra të komunikojë me ta, bile edhe me struktura paralele nëse ka nevoje, pasi ata tani janë subjekt dhe luajnë një rol vendimmarrës për atë pjesë.

Nëse problemi mbetet brenda dhe kërkohet zgjidhje brenda kufijve të vendit, atëherë kemi të bëjmë me çështje të brendshme shtetërore, por nëse si në rastin tonë e involvojmë Serbinë dhe kërkojmë ajo të merr pjesë në zgjidhjen politike të situatës brenda kufijve të Kosovës, atëherë ne vetvetiu po cenojmë sovranitetin tonë në mënyrë indirekte.

Vija e Teodosit

Për tu tejkaluar kjo gjendje, ndikimit të Serbisë në këtë pjesë të Kosovës, institucionet dhe të gjithë mekanizmat relevant të Kosovës duhet të jene sa me prezent në atë pjesë me qëllim të integrimit të shoqërisë në të gjitha segmentet e jetës, me politika ekonomike si edhe me ndikime sociale nëpërmes, sportit, kulturës, artit, edukimit etj., të gjen forma që dalngadal nga rrafshi social ekonomik të barten në atë politik dhe kulturor ku të gjitha dallimet kulturore, religjioze, nacionale etj, të tjetërsohen me atë të parimit të qytetarisë ku qytetari apo banori të integrohet në atë masë sa qe kolektiviteti dhe përkatësia identitare të jenë irelevante në raport me synimet dhe avancimet individuale drejt një jete më të mirë në rrethana dhe trende të cilat sot e kanë kapluar rruzullin tokësor, ku lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, tregtisë, shkëmbimit të ideve dhe teknologjive bashkëkohore të jetë pjesë e Mitrovicës dhe Kosovës në tërësi, e jo mentalitetet dhe botëkuptime të prapambetura të izolimit, të barrikadimit apo betonimit ndaj një pjese tjetër, ku bota sot është më e vogël se kur dhe e hapur për synime dhe zhvillime të reja.

Shihet se pse Mitrovica gjatë historisë ka pasur një fat të tille, nga aspekti gjeostrategjik ka qenë vend transit apo urë lidhëse mes civilizimeve të ndryshme, thuhet se edhe vija e Teodosit apo ajo e pansllavizmit (nga Rusia deri në Greqi) kalon nëpër Mitrovicë, Kosovë. Rëndësia e saj është tepër e madhe dhe Kosova pa atë pjesë vetëm do jetë mollë sherri për tërë rajonin, fat ku qytetarët e Kosovës do humbin më së shumti e sidomos Mitrovicasit, rrezik për hapjen e “Kutisë së Pandorës” ku te këqijat kushedi se ku do ndalen.