Roland Qafoku
A mund ta kishte jetën e sigurt njeriu që vrau Esad Pashë Toptanin? Ky ankth për Avni Rustemin zgjati tre vjet, nëntë muaj e shtatë ditë, kur Isuf Reçi bëri ndaj tij atë që ai vetë kishte bërë ndaj Esad Pashë Toptanit. Pesë minuta përpara se të shkonte ora 16.00 të dielën e 20 prillit të vitit 1924 në Tiranë, dy plumba të dalë nga e shtëna e pistoletës e lanë të plagosur për të ndërruar jetë dy ditë më vonë. Ishte vrarë vrasësi i Esad Toptanit.
SKENA E KRIMIT
Me hap të shpejtë, i shkujdesur dhe pa asnjë interes për këdo që kalonte në rrugën e varrezave, Avni Rustemi dukej i sigurt teksa pranë ishin dy miqtë e tij, një prej të cilëve deputeti Hoxhë Kadriu.
Atë pasdite të së dielës nuk duhet t’i ketë bërë përshtypje në mes të turmës një njeri i zakonshëm, por i panjohur për të. Quhej Isuf Reçi dhe kur akrepat shënonin 15:55, pa i thënë asnjë fjalë, nxori pistoletën nga brezi, ia drejtoi dhe dy krisma të thata e lëkundën Avni Rustemin.
Duke u mbajtur në objekte aty pranë, Avniu arriti të nxirrte nga brezi pistoletën e vet dhe të qëllojë katër herë drejt tij, por asnjë plumb nuk e preku atentatorin.
Rrëmuja, klithmat dhe urdhri pa objekt i dëshmitarëve “kapeni vrasësin” ishte skena e dytë e ngjarjes. Një pellg gjaku përreth trupit të plagosur dhe zhdukja e atentatorit përbënin skenën e tretë, e cila pati si epilog vdekjen pas dy ditësh të të plagosurit.
VDEKJA PAS DY DITËSH
Ndonëse atentati ndodhi afër një shekull përpara shpikjes së internetit, lajmi u përhap pothuajse me shpejtësinë e tij në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Politikanët ishin ata që morën në kohë rekord të parët informacionin e saktë se çfarë kishte ndodhur.
Sejfi Vllamasi kujton: “Avni Rustemi plagoset rëndë nga një kriminel profesionist. Jusuf Reçi në vorrezat e asaj kohe, në rrugën e sotme ‘Hoxha Tahsin’. Vrasësi alkoolik e qëlloi Avninë pas shpine e nën shpatull të majtë, duke ia ulur grykën e pushkës me qëllim që të shkaktonte një plagë të rëndë e të çrregullt, me një fjalë vdekjeprurëse. Avniu menjëherë i përgjigjet me pushkë kriminelit, por ai ishte larguar mjaft dhe mbeti i paprekur. Avniu shtrohet në spital të asaj kohe pranë Sahatit”.
Avni Rustemi qëndroi në jetë 47 orë e 25 minuta pasi u plagos. Dëmtimi i disa organeve jetësore dhe hemorragjia e madhe i shkaktuan vdekjen. Në autopsinë e kryer nga mjekët shkruhet: “Zotni Avni Rustemi që asht plagos me revolver, plumbi i ka hyrë nga prapa me të tetëtin e brinjës, në të mëngjërët, 2 gisht afër peshkut të kurrizit, tue shpue majën e mëlçisë, diaphgramin, pankreas dhe duke shpuar stomakun, plumbi ka mbetë përpara nën lëkurë dhe rrjedhja e gjakut ka shkaktue vdekjen. Tiranë 29 qershor 1924”.
VARRIMI DHE ODISEA E ZEMRËS
Ceremonia e varrimit të Avni Rustemit u krye gjashtë ditë më vonë në Tiranë. Më 28 prill trupi i tij u vendos në qendër të kryeqytetit, banorët e të cilit nuk kishte parë kurrë kryeqyteti një masë aq të madhe njerëzish që nderonin në një vdekje. Në krye të procesionit qëndronin politikanët e opozitës për të cilët vrasja e tij kishte zemëruar të madh e të vogël. Revolucioni kishte filluar. Atmosferën e këtij procesioni na e sjell me plot detaje dhe me nota therëse Eqrem bej Vlora.
“Një komedi e ngjashme ishte edhe ceremonia e nderimit para arkivolit të hapur të Avni Rrustemit në spitalin e Tiranës. Të gjithë ata që e quanin veten ‘popull’ dhe ‘demokratë’ kaluan përpara arkivolit të këtij karagjozi kriminel të cilin donin, me doemos, ta ngrinin në piedestalin e heroit kombëtar dhe të martirit. Me radhë, udhëheqësit e Partisë Demokratike ngjiteshin pranë arkivolit dhe zbraznin rrëketë e fjalëve të tyre, pa dashur t’ia dinë se për popullin këto poza janë krejt të huaja, sepse ato shkelin zakonet dhe kuptimin e tij për dinjitetin njerëzor. Kjo shfaqje u zhvillua për një javë të tërë në Tiranë dhe pastaj në Vlorë, për gazin e gjithë kalamajve.
Gjithë kjo shfaqje hipokrite ndiqte vetëm një qëllim: të ngrinte peshë zemrat e njerëzve dhe nga trazira e përgjithshme, të fitonte kapital politik. Në këtë vazhdë befas, Partia Demokratike vendosi ta transportojë të vdekurin në Vlorë, ta varrosë në një lëndinë të vogël trekëndëshe para barakës së teatrit dhe kinemasë në kryqëzimin e rrugës Skelë-Kaninë-Vlorë dhe përmbi të, të ngrejë një përmendore. Me qëllim gjoja, që ta përjetësojë. Në të vërtetë, pas tre muajsh grumbulli i dheut dukej krejt i lënë pas dore, ndërsa pas tre vjetësh ishte zhdukur fare me vjegë se po përcjellin trupin vdekatar të atdhetarit të madh, shumë politikanë të mirëfilltë dhe asish të improvizuar u vunë në lëvizje nga Tirana dhe përmbytën Vlorën, si një luzmë karkalecash”.
Por, varrimi i Avni Rustemit nuk u bë as në Tiranë, e as në vendlindjen e tij Libohovë. Për të plotësuar amanetin që kishte lënë, trupi i tij u dërgua më 29 prill në Vlorë dhe më 1 maj u krye varrimi.
Ceremonia u bë aty, pranë varrit të Ismail Qemalit, në lulishten në qendër të qytetit. Ishte amaneti i Avni Rustemit dhe aty u ndërtua një varr si bodrum me dy kate nën tokë. Por, ky nuk do të ishte varrimi i fundit. Më 8 tetor 1982 në orën 15:00 u zhvarros për t’u ndërtuar një varr i ri. Mbi këtë varr u ndërtua edhe monumenti i Avni Rustemit, autor i të cilit ishte skulptori Kristaq Rama.
Avni Rustemi quhej në Vlorë si shqiptar me zemër të fortë. Vrasja që i bëri Esad Pashës ia kishte ngritur në zenit famën dhe kjo lidhej me organin më jetësor të trupit të tij, zemrën. Idhujt dhe mbështetësit e tij duket se nuk ndaheshin dot fizikisht me Avni Rustemin. Ndonëse ai kishte vdekur, donin të kishin diçka nga trupi i tij. Në ndihmë u erdhi doktor Shezai Çomo, daja i Avni Rustemit, që kreu balsamosjen e trupit. Ishte më se normale në atë kohë që trupi i një të vdekuri të balsamosej. Por, kjo procedurë kërkonte që organet e brendshme të nxirreshin nga trupi dhe me to kryheshin procedura të tjera.
Mjekët vendosën që ta ruanin zemrën e Avni Rustemit dhe Zyma, doktori i njohur i asaj kohe, kreu të gjithë procesin e balsamosjes së trupit, por edhe të ruajtjes së zemrës në kushte optimale. I pari që flet për këtë veprim të rrallë është Sejfi Vllamasi: “Avniu vdiq pas dy ditësh nga hemoragjia. Zemrën ia nxorën për ta ruajtur dhe tru pin ia balsamosën për ta transportuar në Vlorë për varrim”.
Si një objekt trofe zemra e Avni Rustemit u vendos në kushte ruajtjeje në një vazo, e zhytur në një solucion që e ruante përjetësisht dhe iu dorëzua farmacistit të Vlorës Nasho Qirko, që shërbente në farmacinë numër 1 të qytetit. Për 39 vjet zemra u ekspozua në farmaci, e vetmja farmaci në Shqipëri që shërbente për dy funksione; për të blerë ilaçe, por edhe si një ekspozitë për të parë zemrën e Avni Rustemit. Pas vitit 1963 nuk ka asnjë të dhënë se ku përfundoi zemra.
Ekziston një kërkesë që zemra të kthehej në vendlindjen e Avniut në Libohovë, por nuk është konfirmuar kurrë që zemra të ketë shkuar atje. Pas afro një shekulli nga vrasja jemi të qartë se si e vrau Esad Pashën në Paris dhe si e vranë Avni Rustemin në Tiranë. Por, nuk e kemi të qartë se cili ishte fati i zemrën së tij, ajo zemër që i dha atij famë, emër, por edhe guxim për t’u futur në histori.
SI U ORGANIZUA VRASJA?
Vetëm disa orë pas atentatit ndaj Avni Rustemit, fjalënaja mbi autorin e krimit qe bërë ortek. Si fillim u akuzua direkt Ahmet Zogu që kishte vënë Isuf Reçin të kryente vrasjen. Dikur Isufi kishte qenë shërbëtor te familja e Zogut dhe ky ishte një fakt për të besuar dorën e Zogut në këtë ngjarje. Por, më pas akuzat ndaj Zogut nisën të zvogëlohen si intriguesi kryesor u përmend Osman Bali, njeriu i besuar i Esad Pashë Toptanit. Sipas të dhënave, një ditë më parë nga ngjarja, ai planifikoi dy atentate.
Të parin do ta bënte vetë Osmani, në Elbasan, duke vrarë Aqif Pashën, një nga njerëzit më të rëndësishëm të opozitës së asaj kohe, ndërsa të dytin ia kishte lënë detyrë Isuf Reçit të vriste në Tiranë Avni Rustemin. Isuf Reçi ishte një njeri i thjeshtë, që prej vitesh kishte marrë tek sarajet e Esadit një mulli dhe duke bluar ushqente familjen e tij.
Historia mori trajtën e një legjende teksa përmendej se Osman Bali nuk donte të ishte ai vrasësi i Avni Rustemit.
“Nuk e ndyj koburen me të”, përflitej se kishte thënë Osman Bali, tek i ngjeshte në dorë revolverin të punësuarit tek Pasha. Plani i Osman Balit u realizua përgjysmë. Vetë ai nuk e gjeti në Elbasan Aqif Pashën dhe kështu ai u shpëtoi. Isuf Reçi, mirënjohës, por edhe besnik i kujtimit të Esadit, mjaft i pikëlluar kur në pranverë 1920 i patën vrarë idhullin e tij, nuk e humbi orientimin dhe pasi i çuan fjalë se Avni Rustemi sapo kishte zënë një dhomë në Hotel International, e priti të dilte. Për orë të tëra iu vu pas Avni Rustemit. Pastaj e ndoqi pa rënë fare në sy. Do t’i kishte shtënë më shpejt nga sa ndodhi, sepse qe fare vetëm, por që në minutat e para të lëvizjes iu shfaqën dy mbështetës dhe e vunë në mes në një mënyrë të tillë si të ishin truproja.
Por, ai megjithatë e pati gjetur çastin kur nëpër kapërcyell të kalimit të rrugës Avni Rustemi u shkëput prej mbrojtësve të tij. Nxori pistoletën dhe qëlloi disa herë ndaj tij, duke zbatuar planin e Osman Balit, por edhe dëshirën që e digjte prej kohësh. Isuf Reçi hyri kështu në histori si vrasësi i vrasësit të Esad Pashë Toptanit, shefit të tij.
PËRSE E VRANË AVNI RUSTEMIN?
Më shumë se një herë në jetën e tij ai kishte bërë thirrje për dy mundësi: ose arritje e qëllimit, ose vdekje. Në fakt atij iu plotësuan të dyja. Avni Rustemi ishte rritur me pistoletë nën jastëk. Se sa gjaknxehtë, se sa i manipulueshëm dhe se sa lehtë mund të futej Avni Rustemi në aksion për të vrarë dikë, e tregon më mirë Mehdi Frashëri: “Kur ndodhesha në Vlorë, Avni Rustemi më çoi haber se më kishte ftuar në një duel… kisha thënë në fjalim në Parlament se Shqipëria e Jugut nga rendi popullor ka nxjerrë Avni Rustemin, Shqipëria e Mesme nxori Xhiun e Fajes. Mustafa Kruja duke përfituar nga thjeshtësia e Avni Rustemit, fjalimin tim atij ia kishte kallëzuar si ofendues, me qëllim të keq, ta shtynte atë kundër meje… Mbasi ia shpjegova çështjen Avniut, u pendua dhe kërkoi ndjesë”.
Por, ky incident me Mehdi Frashërin ngjan si lojë luftash për fëmijët përballë implikimet e tij në vrasje të drejtpërdrejta. Vrasja e Esad Pashë Toptanit dhe atentati i Ahmet Zogut në Parlament në 1923, kishin vetëm një emër, Avni Rustemi. Ndërsa i pari ishte një ekzekutim direkt, i dyti ishte se Beqir Valterin e kishte shtyrë Avni Rustemi. Këto e kishin bërë Avni Rustemin pothuajse një hero të gjallë dhe kishte pothuajse katër vjet që ai ishte kthyer në një personazh magnetik.
Nipi i Esad Pashë Toptanit dhe një nga politikanët më aktivë të asaj kohe, Eqrem bej Vlora, është më i drejtpërdrejtë në arsyet përse e vranë Avni Rustemin: “Avni Rustemi ishte një kriminel dhe karagjoz. Me vrasjen e tij drejtësia u vu në vend. Ahmet Zogu e dinte cilët ishin organizatorët. Ai pajtoi një njeri në Tiranë që kishte marrë prej vitesh me qira një mulli bloje nga Esat pasha (njëherësh edhe vetë esatist i njohur), i cili qëlloi me revolver dhe plagosi rëndë Avni Rustemin, vrasësin e Esat Pashë Toptanit dhe nxitësin kryesor të atentatit kundër Zogut. I plagosuri vdiq dy ditë më vonë në spitalin e Tiranës. Ky kishte qenë një akt i shkëlqyer hakmarrjeje, që jo vetëm përputhej me rregullat e kodit të vendetës shqiptare, por bënte edhe një shërbim tjetër: pajtonte dy rryma politike: esatizmin dhe ahmetizmin, deri atëherë të ndara”.
Studiuesi Ylli Polovina i rendit faktet në mënyrë të tillë që shërbimi sekret jugosllav në rastin më të mirë ishte i interesuar që shqiptarët të hanin kokat e njëri-tjetrit.
PENSIONI I ÇUDITSHËM BABAIT TË RUSTEMIT
Misterit të vrasjes dhe atij të zhdukjes së zemrës së Avni Rustemit i shtohet dhe një mister tjetër: në kulmin e pushtetit të vet, dy vjet që nga koha që ishte zgjedhur president, Ahmet Zogu i lidhi një pension të majmë për kohën familjes së Avniut, më saktë babait të tij.
Më 1 korrik 1930, prefekti i Gjirokastrës Kolë Rodhe, njofton Zyrën Sekrete: “Bashkëngjitun, kemi nderin t’ju paraqisim dëftesën mbi marrjen në dorëzim të 400 fr. ari, nga ati i të ndjerit Avni Rustemit, përcjellë prej kësaj prefekture me shkresën nr. 62. res., date 23 qershor 1930 të N/prefekturës Libohovës”…
Pra, me një llogari çdo muaj ai merrte pension 100 franga ari. Kur vetë Neim Rustemi kishte akuzuar Ahmet Zogun si vrasës përse i pranoi? A kishte ndërruar ai mendim se autori nuk ishte Zogu, apo kjo ishte një blerje e formës alla shqiptarçe e gjakut të të birit? Është e vështirë që pas kaq vjetësh të hamendësosh dhe të përgjigjesh saktë për atë që ka bërë babai i Avni Rustemit. Por fakti që vendimi ka qenë sekret dhe që Neim Rustemi ka heshtur tregojnë shumë.
DHJETË FAKTE
1. Avni Rustemi është i pari deputet i Parlamentit shqiptar që u vra ndërsa ushtronte mandatin!
2. Të dhënat janë se autori i vrasjes, Isuf Reçi, ishte shtyrë nga Osman Bali për të kryer vrasjen e Avni Rustemit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Esad Pashë Toptanit
3. Isuf Reçi kishte qenë dikur një nga shërbëtorët e Esad Pashë Toptanit dhe më pas kishte marrë një mulli në të cilin punonte për të mbajtur familjen
4. Vdekja Avni Rustemit i është shkaktuar nga një plumb i vetëm i cili i shkaktoi gjakderdhje, ndërsa plumbi i dytë nuk i shkaktoi ndonjë pasojë
5. Zemra iu nxor nga trupi dhe u ruajt për shumë vite e balsamosur në një farmaci të Vlorës
6. Për gjashtë ditë në Tiranë u kryen homazhe në nder të Avni Rustemit dhe u mbajtën fjalime nga deputetë të opozitës, të cilët akuzonin Ahmet Zogun si ideator të kësaj vrasjeje.
7. Pasi trupi u dërgua në Vlorë, atje u kryen edhe tri ditë të tjera homazhe për ta varrosur më pas pranë varrit të Ismail Qemalit
8. Sipas kujtimeve të Mustafa Krujës, autori i vrasjes, Isuf Reçi, kishte dashur të vriste më parë Ahmet Zogun, por kishte ndërruar mendim
9. Vrasja e Avni Rustemit ishte shkëndija që ndezi Lëvizjen e Qershorit, ose atë që historiografia komuniste e quajti revolucioni demokratiko-borgjez, por që në fakt ishte kryengritje me armë për marrjen e pushtetit
10. Pas më shumë se 45 vjetësh, më 22 nëntor 1969, me dekret të Presidumit të Kuvendit Popullor Numër 4600 dt.22 nëntor 1969, Avni Rustemi u dekorua me titullin e lartë “Hero i Popullit”
DHJETË MISTERE
1. Nga cilët ruhej Avni Rustemi meqenëse dy persona e ruanin në çdo lëvizje të tij?
2. Përse Myfit Libohova u largua jashtë Shqipërisë pas vrasjes së Avni Rustemit?
3. Si ka mundësi që ditën e vrasjes dy truprojat e Avni Rustemit ishin në Durrës dhe ai lëvizte i vetëm në Tiranë?
4. Përse Avni Rustemi u qëllua për vdekje pikërisht ditën që do të paraqitej në Ambasadën amerikane për të marrë vizë, sepse do të takonte diasporën?
5. A ka gisht vetë opozita e asaj kohe në këtë vrasje që i shërbeu politikisht për të shpërthyer revolucionin?
6. Sa kanë pasur gisht shërbimet sekrete të huaja në vrasjen e Avni Rustemit?
7. A ka lidhje vrasja e Avni Rustemit me atentatin që Beqir Valteri i bëri Ahmet Zogut në Parlament, për të cilin tregoi se e kishte shtyrë Avni Rustemi?
8. Përse varrimi i Avni Rustemit u bë në Vlorë dhe jo në vendlindjen e tij Libohovë e as në Tiranë ku ai ushtronte aktivitetin si politikan?
9. Çfarë kuptimi ka që 3 vjet pas vrasjes, Ahmet Zogu i lidhi pension nga fondi sekret i Ministrisë së Brendshme Neim Rustemit, babait të Avni Rustemit, dhe përse pensioni ndaj të atit të Rustemit ishte i fshehtë dhe jo publik?
10. Përse Neim Rustemi që kishte akuzuar publikisht direkt ministrin Mufit Libohova e pranoi këtë pension? /Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”/Tema/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme