Luka Mishetiq, avokat mbrojtës i Hashim Thaçi tha sot se Prokuroria Speciale e Hagës ka bërë mëkatin më të madh, duke premtuar spektakël, e që në fakt sipas tij nuk kanë paraqitur asgjë.

Mishetiq tha se për një gjë të tillë i kishte folur një mentor i tij prej shumë kohësh.



“Mentori im më mësoi para shumë kohësh, se mëkati më i madh në një gjykim është që të premtohet më tepër se sa mund të paraqitet dhe ZPS ka bërë këtë mëkat të madh, të pafalshëm në këtë gjykim. Ata kanë premtuar fishekzjarrë, spektakël, por kanë paraqitur asgjë dhe kjo ka ndodh edhe të hënën”, ka thënë Mishetiq.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, deklaroi se prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme dhe të besueshme që do të dëshmonin se klienti i tij ka kryer krime.

“Ju thamë që nuk kishte prova të besueshme që Thaçi të ketë kryer krime. Ju thamë që ZPS-ja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme...”, u shpreh ai.

“ZPS duhet të jepte argumente që Thaçi ka bërë këtë apo atë… por nuk ka pasur fakte. Nuk ka asnjë provë që Thaçi ka bërë krime politike. Ende nuk e dimë se çfarë lidhje ka Thaçi me komunikatat. Kjo pyetje mbetet pa përgjigje", tha avokati. /Telegrafi/