LAJMI I FUNDIT:

Mirëpritet iniciativa për Përmirësimin e Integritetit të ATK-së

Mirëpritet iniciativa për Përmirësimin e Integritetit të ATK-së

Administrata Tatimore e Kosovës ka vazhduar edhe sot konsultimet publike me bizneset, odat ekonomike, shoqatat, shoqërinë civile, media, donatorë dhe institucionet publike, të cilat janë duke u mbajtur për t’i paraprirë hartimit dhe implementimit të Planit për Përmirësimin e Integritetit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Ky plan ka për qëllim të identifikojë fushat që kontribuojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në ambiciet e menaxhmentit për përmirësimin e efikasitetit dhe të integritetit të ATK-së. Hartimi i këtij plani është duke u mbështetur nga Programi i USAID-it për Qeverisjen Ekonomike në Kosovë, që njëherësh është edhe  bashkorganizator i procesit të konsultimeve publike.


Këto tryeza konsultative ishin të rëndësishme për ndërtimin e dialogut të strukturuar të parë të këtij lloji për të inkurajuar kontributin publik për të përmirësuar  transparencën dhe llogaridhënien e ATK-së. Rreth 100 pjesëmarrës kanë dhënë rekomandime e tyre lidhur me pritshmëritë për integritetin e ATK-së.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ne tryezën e sotme me Odat dhe përfaqësuesit e bizneseve, tha se ATK ka arritur përparim të mirë në përmirësimin e shërbimeve të saj për tatimpaguesit/qytetarët, duke mundësuar kryerjen e shërbimeve elektronike, përfshirë këtu deklarimin elektronik të tatimeve dhe ofrimin e shërbimeve të shumta përmes platformave elektronike; optimizmin e proceseve të brendshme, siç janë procedurat e rimbursimit të TVSH-së dhe është në proces të prezantimit të ndryshimeve në strukturën e saj institucionale për një menaxhim më efektiv të funksioneve kryesore.

Drejtori Murtezaj po ashtu foli edhe për matjet e institucioneve ndërkombëtare, me ç’rast tha se perceptimi i publikut për përfshirjen e zyrtarëve tatimor në korrupsion është nën mesataren rajonale, sipas raportit të SELDI 57% është mesatarja e perceptimit për zyrtaret tatimor në rajon, ndërsa 43% perceptimi për zyrtaret tatimore në Kosovë

Megjithatë, përmirësime të mëtejshme janë të nevojshme që ATK-ja të bëhet një shembull prijës në mesin e institucioneve publike që ofrojnë shërbime të cilësisë më të lartë për qytetarët.  Sipas raportit të Asistencës Teknike (AT) të FMN-së për “Planin Afatmesëm për Forcimin e Performancës së Administratës Tatimore” nga shtatori i vitit 2018, perceptimi publik rreth ATK-së është që institucioni konsiderohet si një organizatë profesionale, megjithatë, rezultatet e hulumtimeve të njëpasnjëshme sugjerojnë  se ekzistojnë mundësi për përmirësime.

Përfaqësuesi i Programit të USAID-it për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, tha se “për rritjen ekonomike të shtyrë nga sektori privat, besimi ndërsjellë mes ATK-së dhe tatimpaguesve është thelbësor”.

Palët e interesit  e mirëpriten këtë nismë dhe u potencua se një komunikim i tillë mes ATK-së dhe sektorit privat duhet të jetë i vazhdueshëm.