“I trishtuar, i turpshëm dhe misterioz, një mashkull Gaforre në horoskop sundohet nga Hëna”

Edhe ne që nuk kuptonim përse po flet Edi, u ndriçuam! Edi nuk ka faj, faj ka Gaforrja. Mos lexo vetëm libra serioz Albin. Lexo nga pak edhe horoskopin.

Përndryshe kjo është një analizë “post festum”, pas ikjes së karvanit qeveritar nga Tirana, me autobus, andej kufirit në Morinë. Ka apo nuk ka kufi në Morinë, do të pyesni ju?

Pat apo nuk pat, Edi po kërkon ta hapim këtë pikë edhe për Serbinë, e cila nga ana e saj e konsideron atë si pikë të kufirit të saj me Shqipërinë. Tingëllon paksa e komplikuar, por nuk është. Edi e ka gjetur zgjidhjen. Nuk ka kufi të mbyllur, nuk ka as kontest për kufirin. Mirëkuptim për Serbinë, se nuk e ka lehtë me ne. Nuk e ka lehtë as me Rusinë, por aty Edi nuk i vjen dot në ndihmë. Me ne po. Edi emocionohet kur flet për marrëdhëniet me Serbinë, apo me Rusinë.

Bazuar në shenjat e horoskopit na del se Edi është … i turpshëm. Në rregull fjalët për trishtimin, se artistët edhe i kap trishtimi, ama i turpshëm dhe misterioz, Edi? Por, horoskopi mund ta ketë gabim. Datën e lindjes të Edit, mund ta kemi gabim, po ashtu.

Po të thoshte horoskopi se Edi është Virgjëreshë, do ta besonit ju?

Nejse, ishte, pa dhe iku, Edi. Për të mësuar nuk ka nevojë, se është i ditur mjaftë. E dëgjuam çka tha e çfarë nuk tha, qoftë në ndejat e tij si nikoqir në Kosovë, qoftë nga ata që kishin refuzuar ftesat për në ndejë, për shkak të shtatorit të paralajmëruar. Kullat e mëdha bien në shtator, thonë konspiracionistët.

Diku tjetër, kryeministri mund të ishte ndier i kërcënuar, i paralajmëruar së paku, por në Kosovë kjo nuk ndodhë. Duket se nuk është ngritur aq pluhur sa ishte parashikuar. Profesionistë që qojnë pluhur me pare, dështuan?

Kësaj radhe pas Edit nuk u ngrit pluhur. Mund ta ketë pasur gabim edhe “i moçmi”, këtë punën e pluhurit!

Pra, taktika e Edit kësaj radhe ishte e thjeshtë. Unë po merrem me Kurtin, e ju gazetarët patriot merruni me Spiropalin. Mund të bëni pyetje specifike për Skënderbeun, sa të doni, u tha. Nuk po e komentojmë më tej, thjesht “po e lehim”.

Pastaj pa vërtetuar apo hedhur poshtë “të lehurat” për rrëzimin e paralajmëruar për shtator, ai e shikoi atë me aq dashuri vëllazërore sikur kur po e luste të rrëzohej vet … në shtator.

Pastaj, bashkëfajtore është edhe Hëna. Ndiqeni edhe pak, me durim, llafin e horoskopit për gaforret: “Ai mund të jetë nervoz dhe i paqëndrueshëm një minutë, pastaj jashtëzakonisht i sigurt në tjetrën. Këto ndryshime të humorit ndikohen nga fazat hënore të hënës”. Ju thash, nuk ka faj.

Horoskopi thotë se Edi “është një shpirt i ndjeshëm, kështu që trajtojeni me kujdes dhe kini parasysh që mund të dëmtoni ndjenjat e tij”!

Çfarë do të “lehni” tani? Pra, Edi ka ndjenja. Foli për mallin për ish presidentin, foli edhe për dashurinë për kryeministrin aktual, pa e sqaruar se kur po e … rrëzon! I dashur Albin, i tha!

Por, Edi për “brenda, është i butë, i sjellshëm dhe i dashur, nëse mund të kalosh pas mureve të tij”, thotë horoskopi. E si të kalosh muret e tij, kur ai nuk do mure? Ai flet për Ballkanin pa mure dhe për misionin e tij të cilin vet e cilëson si “tradhti”. Është politikan, plus Gaforre … Edi, nuk është tradhtar.

Dëgjojeni edhe këtë dhe po e mbyllim. Pra, një Gaforre është “ gjithmonë i sjellshëm dhe pak botëror dhe kjo shenjë është mishërimi i sjelljeve të zotërinjve të shkollës së vjetër”.” E kuptoni tash përse me 2018, na quante gomarë të gjithë që nuk mendonim si … miku i tij, apo përse me 2013 na quante idiot të gjithë ne që dyshonim se Lidhja e Prizrenit ishte ngritur kundër Perandorisë Osmane?

Po e mbyllim, me kaq. “Shumë intuitiv, një Gaforre shpesh mund të marrë me mend se çfarë mendojnë ose ndjejnë të tjerët…”. Pra, Edi e di se çfarë mendon presidenti serb.

Sa për dashuri, ai nuk e do as Vuqiqin, as Kurtin, as Hashimin, thotë horoskopi.

Bazuar në horoskopin, meshkuj nën shenjën e Gaforres nuk besojnë në konceptin e dashurisë. Është interes, pra, veç interes.

Por, horoskopi nuk i di të gjitha. Shqipëria, krahasuar me Kosovën ka tjetër pozitë në rajon dhe më gjerë. Tjera janë edhe përgjegjësitë e Edit e të tjera ato të Kurtit. Derisa Edi i shqetësuar për fatin e rajonit kërkon mirëkuptim për presidentin serb, unë kërkoj mirëkuptim për Edin. Është Gaforre, nuk ka faj për asgjë! Nuk kishte mundësi të zgjedhë: as Vuçiqin, as Kurtin … as shenjën e tij në horoskop!