Komuna e Ferizajt miraton buxhetin për vitin 2026, mbi 53 milionë euro

Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka miratuar sot me shumicë votash buxhetin komunal për vitin 2026, i cili kap vlerën e 53,068,494 eurove. Nga kjo shumë, mbi 14 milionë euro janë të dedikuara për investime kapitale në infrastrukturë, gjelbërim dhe projekte zhvillimore.
Në seancë morën pjesë Kryetari i Komunës, Agim Aliu, Kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Zariqi, drejtues të drejtorive komunale dhe anëtarë të Kuvendit.
Kryetari Aliu e cilësoi buxhetin si dokumentin kryesor investiv për transformimin e qytetit, duke theksuar se ai është rezultat i dëgjimeve publike dhe përfaqëson kërkesat e qytetarëve. “Ky buxhet është pasqyrë e qartë e vizionit tonë për transformimin e gjithanshëm të Ferizajt. Çdo lagje dhe çdo fshat ka vendin e vet në këtë projeksion investimesh”, u shpreh ai, përcjell Telegrafi.
Një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të shkojë për projekte të gjelbra, për të cilat gjatë mandatit janë investuar mbi 6 milionë euro. Ndër projektet kryesore për vitin e ardhshëm janë Parku i Ri i Qytetit dhe ndërtimi i Bulevardit të Rinisë, si dhe vazhdimi i zgjerimit të Parkut të Lirisë dhe Parkut në Kodrën e Sherretëve.
Po ashtu, buxheti parasheh fillimin e punimeve për Unazën e Brendshme të Qytetit, asfaltimin e rrugëve lidhëse në lagje dhe fshatra, si dhe investime në rrjetin e ujësjellësit e kanalizimit në zona urbane dhe rurale.
Pas diskutimeve për dhe kundër, buxheti mori dritën jeshile nga shumica e asamblistëve. Në të njëjtën mbledhje u miratua edhe pezullimi i një vendimi të mëparshëm të Kuvendit, ndërsa u lexua dhe mbështet deklarata kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike, përkrahur nga OSBE.
Ky buxhet, sipas kryetarit Aliu, përbën bazën mbi të cilën Ferizaj do të vazhdojë transformimin e tij në një qytet modern, me standarde të reja zhvillimi dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/



















































