LAJMI I FUNDIT:

​Miratohen disa marrëveshje ndërkombëtare, PDK s’merr pjesë në votim

​Miratohen disa marrëveshje ndërkombëtare, PDK s’merr pjesë në votim
Foto: Arkiv

Kuvendi i Kosovës ka nisur me miratimin e marrëveshje ndërkombëtare. Në votimin e tyre kanë marrë pjesë LDK dhe AAK, por jo edhe PDK. Qëndrimi i kësaj partie nuk ka ndryshuar, meqë siç thanë nga ky subjekt, Kosova po vazhdon të mbetet e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja e parë e cila është miratuar është ajo “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10B” .


Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri theksoi se vendi po vazhdon të jetë nën sanksione të BE-së.

“Si Grup Parlamentar i PDK-së në asnjë rrethanë nuk pajtohemi që sot të vijmë për diskutim dhe për votim marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Si Grup Parlamentar i PDK-së nuk do t’i votojmë, sepse vendi është nën masa dhe nën sanksione pikërisht nga BE”, u shpreh ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se do të votojnë këto marrëveshje ndërkombëtare.

“Qëndrimi ynë politik për të mos votuar marrëveshjet ndërkombëtare është për të ju treguar se sa e rëndësishme është opozita dhe sa i rëndësishëm është debati parlamentar dhe ndërtimi i konsensusit për çështje të brendshme, jo për të dëmtuar të mirën publike…Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të votojë. Po ashtu ju them se Grup Parlamentar kemi diskutuar edhe me deputetin Haki Abazi edhe ai është zotuar paraprakisht që do jap votën, për të vetmen arsyeje me pa fuqinë opozitare që e ka”, përfundoi ai.

Kuvendi ka miratuar po ashtu Marrëveshjen e kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Po ashtu është miratuar edhe Marrëveshja e kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, Marrëveshja për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.

Kuvendi ka votuar edhe Marrëveshjen në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve.