Miradi e Epërme përfiton furnizim të përmirësuar me ujë të pijshëm

Ekipet teknike, kontraktori dhe menaxhmenti i KRU “Prishtina” kanë nisur testimin e projektit të ri që mundëson furnizimin me ujë të pijshëm nga ITU Badoc për fshatin Miradi e Epërme, përcjell Telegrafi.
Ky investim i rëndësishëm është realizuar me mbështetjen e Komunës së Graçanicës dhe përmes fondeve të KRU “Prishtina”, të cilat kanë mundësuar ndërtimin e një rezervuari me vëllim prej 150 m³ dhe të gypit furnizues të ujësjellësit me gjatësi 2,300 metra.
Projekti pritet të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë për banorët e kësaj zone.
Me përfundimin e testimit, banorët e Miradisë së Epërme do të kenë akses në ujë të pijshëm të qëndrueshëm dhe cilësor, duke adresuar një nevojë të kahmotshme të komunitetit.
KRU “Prishtina” mbetet e përkushtuar për zgjerimin e rrjetit dhe përmirësimin e shërbimeve për të gjithë konsumatorët e saj. /Telegrafi/




















































