LAJMI I FUNDIT:

Ministrja Hoxha fton për kryerjen e obligimeve që dalin nga përkrahja buxhetore sektoriale

Ministrja Hoxha fton për kryerjen e obligimeve që dalin nga përkrahja buxhetore sektoriale

Në takimin e Grupit të veçantë për Reformën e Administratës Publike, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka vlerësuar takimin, duke theksuar se ndërlidhja me përkrahjen buxhetore sektoriale, është negociuar në kuadër të pjesës së dytë të Programit IPA 2016.

Hoxha tha se Ministria e Integrimit Evropian është institucioni kryesor përgjegjës për të siguruar zbatimin e treguesit të parë të Kontratës për Përkrahje Buxhetore Sektoriale për Reformën e Administratës Publike.


“Ky tregues kërkon përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja, përmes zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, theksoi ajo, duke shtuar se ky është viti i parë i zbatimit të këtij treguesi, dhe Ministria ka punuar në zbatim me rishikimin e Programit të MSA-së në shtator të vitit të kaluar, përcjell Telegrafi.

Për këtë vit, ceku ministrja, fokusi është vënë në tri drejtime: Planifikimin realist, Ndërlidhjen me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë dhe dokumentet tjera vendore dhe Lehtësimin e raportimit, duke vendosur kritere më strikte për planifikim afatshkurtër, duke centralizuar më tepër procesin, si dhe duke ofruar udhëzime për përllogaritje të kostos buxhetore të reformave të planifikuara.

“Cilësia e planifikimit të Programit të MSA-së, është përmirësuar ndjeshëm në tri drejtime kryesore: Reduktimin e numrit të masave afatshkurtra për rreth 45%, nga 959 masa vitin e kaluar në rreth 538 këtë vit. 145 prej tyre janë masa legjislative, ndërsa 393 janë masa zbatuese; Ndërlidhjen e rreth 70% të masave afatshkurtra me reformat e dakorduara në konkluzionet e strukturave të MSA-së; dhe Ndërlidhjen e afër 80% të masave afatshkurtra me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë (PVPQ): gjithsej 279 masa afatshkurtra të Programit të MSA-së janë pjesë e kësaj të fundit; prej tyre, 38 nga 40 projektligjet e parapara me këtë program janë pjesë e Programit Legjislativ të Qeverisë; ndërsa 241 nga 393 masa zbatuese të Programit të MSA-së janë pjesë e PVPQ-së”, theksoi Hoxha.

“Presim që të gjitha institucionet e përfshira në kuadër të përkrahjes buxhetore sektoriale, të angazhohen për kryerjen e obligimeve të tyre të marra gjatë procesit të negocimit të përkrahjes buxhetore sektoriale dhe në kuadër të procesit të dialogut të vazhdueshëm që kemi me BE-në për këtë çështje”, përfundoi ajo. /Telegrafi/