Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem tha se kryetarja e Los Angelesit, Karen Bass është një "katastrofë" që e ka kthyer qytetin e engjëjve në një "qytet kriminelësh".

Noem, duke mbrojtur përpjekjet e zbatimit të ligjit federal për të arrestuar ata që ajo thotë se janë kriminelët "më të këqij nga më të këqijtë" midis emigrantëve të paligjshëm, akuzoi Bass dhe guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom se nuk kanë bërë "absolutisht asgjë" për të mbrojtur qytetarët e Los Angelesit nga emigrantët kriminelë.


"Gavin Newsom nuk bëri absolutisht asgjë, kryetarja Bass nuk bëri absolutisht asgjë. Ajo është një kryetare bashkie katastrofike", tha Noem për Bass.

Ajo akuzoi të parën e qytetit të Los Angelesit për "mbështetje" të aktivitetit kriminal dhe duke lejuar që qyteti të "shkatërrohet plotësisht nga krimi", raporton nypost.

Karen Bass

"Tani ajo mban konferenca për shtyp dhe thotë se njerëzit kanë të drejtën e protestave paqësore dhe se ata janë qytet emigrantësh. Epo, ata nuk janë qytet emigrantësh - ata janë qytet kriminelësh, sepse ajo i mbrojti ata për vite të tëra", tha Noem.

Një valë e re protestash filloi pasi agjentët e Emigracionit dhe Zbatimit të Doganave të SHBA (ICE) bastisën rrethin e tekstilit të Los Angelesit, me qëllim arrestimin e emigrantëve pa dokumente që punonin në zonë. Agjentët e ICE kryen gjithashtu një operacion jashtë një dyqani “Home Depo” në Los Angeles, duke kërkuar punëtorë migrantë.

Në përgjigje të protestave, presidenti amerikan, Donald Trump federalizoi 4000 anëtarë të Gardës Kombëtare dhe dërgoi 700 marinsa në zonën e qytetit.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom dhe kryebashkiaku i Los Angelesit, Karen Bass e kritikuan masën dhe Prokurori i Përgjithshëm, Rob Bonta ngriti një padi kundër administratës Trump.

Hera e fundit që një president federalizoi Gardën Kombëtare të një shteti kundër vullnetit të guvernatorit të saj ishte në vitin 1965, kur Lyndon B. Johnson aktivizoi “Aktin e Sedition” për të mbrojtur marshuesit e të drejtave civile në Alabama. /Telegrafi/