LAJMI I FUNDIT:

Ministria ia ndal pensionin invalidit

Ministria ia ndal pensionin invalidit

Për rreth pesë vjet, Adem Brahimi është duke kërkuar që ta rimarrë pensionin invalidor të cilin e mori nga viti 2008 deri në vitin 2011. Atij iu mohua pensioni, ani pse nuk ka pasur asnjë përparim në gjendjen e tij shëndetësore. Përreth pesë vjet ai është duke vrapuar nëpër institucione të Kosovës për ta realizuar të drejtën e tij të cilën së fundmi ia mohoi Gjykata Themelore, ani pse një vit më herët Gjykata nxori aktgjykim në favorin e tij

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ia ka ndalur pensionin invalidor Adem Brahimit nga Obiliqi, edhe pse ky edhe më tutje njërën dorë e ka jashtë funksionit. Brahimi nga viti 2008 deri në vitin 2011 mori pensionin mujor invalidor prej 45 eurove, por kjo e drejtë atij iu ndal nga MPMS-ja pa ndonjë sqarim konkret.


Para pak ditësh Gjykata Themelore vendosi që ai është i paaftë vetëm 50 për qind, ani pse dorën nuk mund ta lëvizë vendit.

“I kam tre fëmijë që janë në shkollë dhe bashkëshorten të papunë, e cila ka probleme shëndetësore me shpinën. Pensionin invalidor e mora për tri vjet, më pas ma kanë ndalë pa ndonjë sqarim. Nga viti 2011 i kam bërë disa kërkesa dhe Ministria m’i ka refuzuar të gjitha. Kam bërë padi në Gjykatë. Shkalla e parë vendosi për aktgjykim në favor timin. Vendimi i kthyer në Ministri dhe ata ma refuzuan prapë. Lënda u kthyer prapë në Gjykatë me kërkesë të Ministrisë dhe më pas ata vendosën në favor të Ministrisë. Këtu po shihet ashiqare që kanë bërë dallavere. Me qenë i aftë për punë nuk vrapoj dyerve nëpër ministri e gjykatë për një pension të 45 eurove, megjithëse është rritur së fundmi, por gjej punë e punoj”, ka thënë Brahimi, duke e treguar vërtetimin që ka qenë shfrytëzues i pensionit invalidor. /Zëri/Telegrafi/