Ministria e Brendshme padit një OJF për tejkalim kompetencash

Akuza është ngritur kundër Qendrës Shqiptare të Studimeve të Luftës kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, të cilën ministria e ka paditur për më se dymbëdhjetë episode të kundraligjshme.
Në padinë e depozituar në gjykatë, e cila do të shqyrtohet nga gjyqtarja Rezarta Vigani, thuhet se “qendra ka tejkaluar kompetencat duke përdorur siglat e Policisë së Shtetit”, raportoi TCH.
Juristët e Ministrisë së Brendshme pretendojnë në padi se shumë persona janë kapur me një dokument të lëshuar nga kjo qendër dhe prezantoheshin si punonjës policie të infiltruar apo dedektivë.
Rasti më flagrant, sipas ministrisë, është ai i kunatit të Dritan Dajtit, Ergys Xhoxhaj, i cili gjatë operacionit të shtatë gushtit, ku mbetën të vrarë katër punonjës policie, iu gjet me vete një dokument i tillë i lëshuar nga kjo qendër. Ky dokument i jashtëligjshëm i jepte të riut tagrin e një oficeri policie.
Po kështu në Holandë, një të kërkuari shqiptar për trafik droge, i cili më pas u kap në këtë vend për vrasje, iu gjet një dokument i ngjashëm. Gjithashtu, autoritetet në Angli dhe Itali kanë njoftuar homologët shqiptarë se kanë ndaluar shtetas të cilët gjatë operacioneve të këtyre policive u janë sekuestruar dokumente të tilla.
Në Elbasan, thuhet më tej, një personi iu kap dokumenti me të cilin prezantohej si agjent i infiltruar i Policisë së Shtetit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qytetin e Sarandës me një person që u kap duke kaluar kufirin.
Qendra shqiptare e studimeve të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar në faqen e saj online prezantohet si një bashkim vullnetar ekspertësh dhe studiuesish, me përvojë në luftën kundër krimit dhe të përkushtuar në mbrojtjen e ligjeve të shtetit.
Në këtë faqe thuhet se kjo qendër ka si objektiv, mes të tjerash, të bëjë kërkime shkencore për prirjet e fenomenet kriminale dhe terroriste, të paraqesë rekomandime për parandalimin e tyre, si dhe të organizojë veprimtari sensibilizuese për informimin e publikut lidhur me problemet e shoqërisë në fushat e krimit të organizuar dhe terrorizmit./Telegrafi/









































