LAJMI I FUNDIT:

Ministri Shala urdhëron verifikimin e secilit produkt që tregtohet në Kosovë

Ministri Shala urdhëron verifikimin e secilit produkt që tregtohet në Kosovë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka urdhëruar Inspektoratin e Tregut që në bashkëpunim me inspektoratet komunale të bëjnë inspektime intensive të tregut në Kosovë, për të verifikuar çdo dokumentacion të produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe nga vendet tjera dhe krahasimin e këtyre dokumenteve me produktet e ekspozuara në tregun tonë.

Qëllimi i këtij aksioni është që të bëhet verifikimi dhe sekuestrimi i secilit produkt që mund të jetë i kontrabanduar dhe tregtohet në vendit tonë.


“Unë jam i angazhuar çdo ditë, që MTI të jetë zë i bizneseve, dhe po ashtu të përmirësojmë klimën e biznesit në vendin tonë, po ashtu MTI është e obliguar që të zbatoj ligjin dhe kushtetutën e vendit tonë. Është obligim ligjor dhe kushtetues që të ndalojmë çdo lloj kontrabande, të sekuestrojmë çdo produkt për të cilin nuk dëshmohet prejardhja. Me këto veprime në po mbrojmë qenien e shtetit tonë, dhe njëkohësisht konsumatorin rrjedhimisht qytetarin e Kosovës”, tha ministri Shala.

Sipas tij, institucionet e vendit tonë do të kenë informacione të sakta për secilin produkt që tregtohen në Kosovë.

“Inspektorati i Tregut së bashku me inspektoratet komunale janë të obliguara që në bazë të kësaj urdhërese të dërgojnë raporte javore për të gjitha të gjeturat gjatë inspektimeve në tregun e Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomik që operojnë në Kosovë që të furnizohen me produkte, të cilat i kanë kaluar të gjitha procedurat doganore, sanitare dhe fito-sanitare para se të ekspozojnë këto produkte për konsumatorët. /Telegrafi/