LAJMI I FUNDIT:

Ministri Peci liron nga detyra këshilltarin Hysen Muzliukaj

Ministri Peci liron nga detyra këshilltarin Hysen Muzliukaj

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka liruar nga detyra këshilltarin e tij, Hysen Muzliukaj, i cili gjatë ditës u arrestua si i dyshuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” derisa ishte drejtor në Komunën e Mitrovicës.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin shefja e kabinetit të ministrit Peci, Flutura Mustafa Pllana.


“Derisa drejtësia ta thotë fjalën e fundit, Hysen Muzliukaj do të lirohet nga detyra”, konfirmoi ajo.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kryer sot bastisje në dy lokacione, pronë e kryeshefit të Ipër-Lepencit, Faruk Mujka dhe ish-drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj.

Sekuestrimi i 60 mijë eurove, i dyshuari tjetër është ish drejtori për Kadastër në Mitrovicë, Hysen Muzliukaj
Lexo po ashtu Sekuestrimi i 60 mijë eurove, i dyshuari tjetër është ish drejtori për Kadastër në Mitrovicë, Hysen Muzliukaj

Prokuroria njofton se në dy pronat e bastisura ka sekuestruar 60 mijë euro, transmeton Telegrafi.

“Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro”.

Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Bastiset shtëpia e kryeshefit të Ipër-Lepencit, Faruk Mujkës - Prokuroria sekuestroi 60 mijë euro
Lexo po ashtu Bastiset shtëpia e kryeshefit të Ipër-Lepencit, Faruk Mujkës - Prokuroria sekuestroi 60 mijë euro

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.

Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës.

Ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë./Telegrafi/