Ministri Muja miraton dy vendime të rëndësishme për sektorin e qumështit


Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka miratuar dy vendime të rëndësishme që synojnë rritjen e transparencës, drejtësisë dhe qëndrueshmërisë në sektorin e qumështit në Kosovë.
Vendimi i parë parasheh publikimin e rregullt të Çmimit Referent të Qumështit përmes Platformës Kombëtare të Qumështit. Ky çmim do të bazohet në të dhëna relevante mbi prodhimin, kostot, importin, përpunimin, çmimet dhe zhvillimet në treg, duke shërbyer si instrument orientues për të gjithë akterët e sektorit.
Vendimi i dytë përcakton që marrëdhëniet në zinxhirin e qumështit, nga ferma deri te konsumatori, të bazohen në kontrata të detyrueshme me shkrim. Këto kontrata do të përfshijnë rregulla të qarta për çmimin, cilësinë e produktit dhe afatet e pagesës, të cilat nuk do të tejkalojnë 30 ditë.
Fermeri duhet të dijë:
Sa është vlera reale e qumështit që prodhon;
Me çfarë kushtesh po e shet produktin e tij;
Kur dhe sa do të paguhet.
Këto vendime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tregu më të drejtë, më transparent dhe më të balancuar për prodhuesit vendorë, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të qumështit në Republikën e Kosovës.



































