Ministri amerikan i Luftës, Pete Hegseth, bëri të ditur të enjten se Shtetet e Bashkuara kanë shënuar shifra historikisht të larta të rekrutimit ushtarak, por njëkohësisht pranoi se ushtria vazhdon të përballet me pengesa serioze në procesin e pranimit të rekrutëve të rinj.

Sipas tij, faktorë si obeziteti, niveli i pamjaftueshëm arsimor dhe dosjet penale mbeten ndër arsyet kryesore që e vështirësojnë hyrjen e shumë të rinjve në shërbimin ushtarak.


Duke folur në Forumin e Ekselencës së Rekrutimit të mbajtur në Pentagon, Hegseth iu referua periudhës së administratës së presidentit Donald Trump, të cilën e përshkroi si një kohë me rezultate të jashtëzakonshme në fushën e rekrutimit. Megjithatë, ai theksoi se pavarësisht këtyre shifrave pozitive, sfidat strukturore vazhdojnë të jenë të pranishme dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.

“E di që kushtet bazë për rekrutim nuk janë të lehta. Shumë nga të rinjtë tanë janë mbipeshë ose nuk kanë përgatitjen e duhur arsimore. Nuk është e saktë t’i quajmë budallenj - problemi është se nuk po i edukojmë siç duhet, ose ata kanë dosje penale. Të gjitha këto faktorë ndikojnë drejtpërdrejt nëse një individ i plotëson apo jo kriteret për t’u bashkuar me ushtrinë”, u shpreh ai.

Në këtë kontekst, ai u bëri thirrje rekrutuesve ushtarakë që ta paraqesin shërbimin ushtarak si një mundësi më tërheqëse për të rinjtë, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të drejtë dhe njerëzor të ushtarëve.

Hegseth nënvizoi se pjesëtarët e forcave të armatosura duhet të trajtohen me të njëjtin kujdes dhe respekt që çdo prind do të dëshironte për fëmijët e vet, duke shtuar se kjo qasje mund të ndikojë pozitivisht si në rekrutim ashtu edhe në motivimin dhe qëndrueshmërinë e personelit ushtarak.

Në përfundim, ministri theksoi se përmirësimi i kushteve të shërbimit dhe investimi në edukim, shëndet dhe integritet moral janë kyçe për të siguruar një ushtri të fortë dhe të qëndrueshme për të ardhmen. /Telegrafi/