Metoda të pazakonta të zbulimit të shtatzënisë që nuk mund t'i imagjinojmë as sot

A e dini se një metodë e zbulimit të shtatzënisë që ka origjinën në Egjiptin e lashtë ka ende një saktësi prej 70% sot? Dhe si me ndihmën e bretkosave afrikane për dekada është zbuluar nëse një grua është shtatzënë dhe çfarë lidhje ka qepa me shtatzëninë, mësoni në tekstin e mëposhtëm
Përgjatë historisë, bota mjekësore ka kaluar nëpër shumë faza eksperimentale përpara se të zhvillohej në atë që është sot.
Testet e sotme të shtatzënisë në shtëpi u përdorën për herë të parë në mesin e viteve 1970. Para këtyre viteve, gratë mund të dallonin nëse ishin shtatzënë duke bërë një test gjaku ose urine.
Në raftet e pluhurosura të historisë, u aplikuan teste shumë interesante për të kuptuar nëse gratë ishin shtatzëna.
Më poshtë, po ju rendisim disa nga testet interesante të shtatzënisë të aplikuara në histori:
Testi me bretkosën
Në fund të viteve 1940, shkencëtarët injektonin urinën e një gruaje në një bretkosë të gjallë. Mendohej se nëse femra ishte shtatzënë, bretkosa do të ishte në gjendje të prodhonte vezë brenda 24 orëve.
Shenja Chadwick
Në shtatzëninë e hershme, në periudhën gjashtë ose tetë-javëshe, qafa e mitrës, labia dhe vagjina mund të marrin një ngjyrë kaltëroshe të errët ose vjollcë në të kuqërremtë për shkak të rritjes së rrjedhjes së gjakut në zonë.
Kjo shenjë e jashtëzakonshme e shtatzënisë u vu re për herë të parë nga një mjek francez. Kjo çështje u zhvillua më vonë nga mjeku obstetër James Read Chadëick gjatë një takimi të Shoqatës Amerikane Gjinekologjike në 1886. Që atëherë është njohur si shenja Chadwick.
Jacques Guillemeau, një mjek i shekullit të 16-të, pohoi se ai mund të dallonte nëse një grua ishte shtatzënë nga sytë e tij. Guillemeau, i cili shkruan rishikime mbi oftalmologjinë (sëmundjet e syve dhe kirurgjinë), deklaroi në fillim të muajit të dytë se “gratë shtatzëna kanë bebëza më të vogla, qepallat e varura dhe venat e fryra në cepat e syve”.
Edhe pse këto teori nuk janë mjaft të sakta, mjeku ka të drejtë për faktin se sytë ndryshojnë gjatë shtatzënisë, duke ndikuar në shikimin e tij.
Testi i urinës me verë
Në shekullin e 16-të, “specialistët e urinës” u shfaqën në Evropë. Ata mund të dallonin nëse gratë ishin shtatzëna nga ngjyra dhe karakteristikat e urinës së tyre. Disa ekspertë madje përzien urinën me verë dhe ekzaminuan rezultatet.
Ky test në fakt nuk konsiderohet shumë i gabuar sepse aktualisht përmendet në literaturë se proteinat në urinën e shtatzënës mund të reagojnë me alkoolin. Megjithatë, profecitë e ekspertëve nuk mbetën vetëm tek shtatzënat, por thanë edhe se mund të parashikonin edhe sëmundje të tjera.

Testi i qepës
Egjiptianët e lashtë propozuan një test interesant shtatzënie në papiruset mjekësore egjiptiane. Sipas këtij testi, një qepë futej në vagjinën e një gruaje që mendohej se ishte shtatzënë dhe fryma e saj nuhatej të nesërmen. Nëse fryma e gruas mbante erë qepe, ajo nuk ishte shtatzënë.
Sado i palogjikshëm të duket ky test, sipas njerëzve të asaj periudhe, nëse gruaja ishte shtatzënë, pra nëse kishte fetus në stomak, mitra mbyllej dhe goja nuk do të mbante erë.
Testi i grurit dhe elbit
Një nga testet më të hershme të njohura të shtatzënisë në shtëpi u praktikua në Egjiptin e lashtë. Në vitin 1350 para Krishtit, gratë që mendohej se ishin shtatzënë urinonin mbi farat e grurit dhe elbit për disa ditë. Nëse mbinte gruri konsiderohej vajzë, nëse mbinte elbi konsiderohej djalë. Nëse asnjëra nuk mbinte, ajo konsiderohej - jo shtatzënë.
Gjëja më interesante në lidhje me këtë test është se në të vërtetë funksionoi. Në vitin 1963, ky test u rikrye në një laborator dhe urina e 70 për qind të grave të vërteta shtatzëna mbinë fara. /Telegrafi/



































