LAJMI I FUNDIT:

Meta: ​Adem Demaçi, model kombëtar i skalitur në historinë tonë

Meta: ​Adem Demaçi, model kombëtar i skalitur në historinë tonë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në dy vjetorin e vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi, ka thënë se ai ishte emblema e qëndresës shqiptare dhe Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.

Meta ka shkruar në Facebook se sot përulet me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës.

“Nuk do t’i gjej kurrë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e thellë që la pas ikja jote në përjetësi dy vite më parë, Baca Adem Demaçi, emblema e qëndresës shqiptare, Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor. Sot ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës. Do të mbetesh maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë, ‘Mandela i Evropës’ dhe ‘Saharovi’ ynë me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi si i burgosur politik, që i’a dole të përballosh e t’i sfidosh me fisnikëri e mençuri sakrificat pambarim për çështjen kombëtare, Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e të njohur ndërkombëtarisht me kufijtë e saj. Mirënjohje të thellë për gjithçka na le trashëgimi dhe amanet Baca Adem. Përqafime të ngrohta e vëllazërore për familjen shumë të dashur Demaçi”, ka shkruar Meta.

Sot bëhen dy vjet që kur ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i njohur si Mandela i Kosovës.

​Dy vjet pa veprimtarin Adem Demaçi
Lexo po ashtu ​Dy vjet pa veprimtarin Adem Demaçi

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik të vitit 2018 ndërroi jetë. Ai ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera. /Telegrafi/