LAJMI I FUNDIT:

Mësimi gjithëditor me pak ndikim në sukses e me shumë probleme

Mësimi gjithëditor me pak ndikim në sukses e me shumë probleme

Mungesa e hapësirave adekuate, numri i madh i nxënësve në klasa, pamundësia e sigurimit të shujtave ditore, rreziku nga moskujdesi higjienik në raport me moshën e fëmijëve, orari shumë i papërshtatshëm i daljes së fëmijëve nga shkolla, janë vetëm disa nga problemet që kanë përcjellë mësimin gjithëditor në tri shkolla të kryeqytetit.

Shkolla “Faik Konica”, me vetëm 23 dhoma mësimi e me 46 paralele, është njëra nga tri shkollat që në tetor të vitit të kaluar ka filluar me implementimin e pilot-projektit për mësimin gjithëditor, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në mungesë të hapësirës shkolla ka improvizuar klasë edhe në një sallë të muzikës dhe një dhomë tjetër. Që nga fillimi i implementimit të projektit, prindërit e fëmijëve që vijojnë mësimin në këtë shkolla kanë qenë skeptikë lidhur me ecurinë e këtij projekti, duke pasur parasysh infrastrukturën që posedon shkolla dhe numrin e madh të nxënësve.


Zymber Kelmendi, i cili ka dy fëmijë në këtë shkollë, ka thënë se me anë të një peticioni në fillim ia kanë bërë me dije Drejtorisë së Arsimit në Prishtinës se nuk ka kushte për implementim të projektit të tillë.

“Ne si prindër kemi qenë të interesuar të dimë nëse është bërë ndonjë analizë se sa ka ndikuar ky mësim tek nxënësit, por nuk kemi marrë një përgjigje. Unë personalisht nuk mund të them se ka qenë mësim tërëditor, pasi ky është vetëm ndryshim orari, vetëm një orë është shtuar, jo diçka tjetër”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, përveç ushtrimeve fizike, nuk kanë pasur diçka më shumë dhe nuk mund të ketë as suksese të mëdha nxënësi.