Un’, nuk erdha në jetë të fle, kur s’më flihet, / un’erdha t’ blatoj këngë mendimit të lirë (Fatos Arapi)

Nga: Sejdo Harka


Poeti Fatos Arapi, edhe sot e kësaj dite vazhdon të konsiderohet një nga shtyllat më të larta të trinisë më të zëshme të poezisë shqiptare, mes viteve 1960-2000, i cili bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, duke ecur në udhën që çelën pararendësit e tyre, hodhën themelet e poezisë sonë të re moderne. Ai shpesh është quajtur poeti i shpirtit të trazuar dhe rebel, që u dashurua përjetësisht me atdheun, lirinë, bukuritë përrallore të Zvërnecit dhe oshtimën e dallgëve të detit Jon. Fatos Arapi erdhi në jetë si një pulëbardhë e lirë, mes mrekullive të Vlorës së flamurit dhe magjisë së dallgëve thinjoshe të Jonit të trazuar nga stuhitë, dhe iku, po ashtu, shaluar mbi ëndrrat e tij të bukura, ndoshta me brengën e madhe, se nuk mundi t’i realizonte të gjitha.

Lexo po ashtu:
- Rekuiem për Fatos Arapin
- Për një gjysmë ëndrre të Fatos Arapit dhe tonën …
- Fatos Arapi dhe një memorial poetik për Holokaustin
- Poezi të Fatos Arapit: Jeta, Nuk mbyllem dot, Ti mos më ler vetëm, Si s’të desha pak më shumë, Ti do të më dashurosh patjetër

Ai iku nga kjo botë, sa e trazuar, aq dhe e përgjumur, një ditë tetori të vitit 2018, duke lënë pas kujtimet dhe pavdekësinë e krijimtarisë së tij shumëplanëshe, veçanërisht poezitë e papërsëritshme. Iku, për të mos vdekur kurrë, ashtu siç shkruan edhe vetë: “Nuk vdes shpirti i poetit në tetor”, sepse tetori është muaji, kur poetët thurin mijëra e mijëra këngë e vargje. Për Ismail Kadarenë: “Fatos Arapi ishte një shkrimtar i rëndësishëm, me një jetë e krijimtari dramatike, të shtrirë në dy epoka; ishte një mik dhe koleg i dashur, që u bë pjesë e pandarë e kalendarit letrar shqiptar të shekujve XX dhe XXI”.

Një privilegj i rrallë, ka qenë edhe për mua, njohja nga afër me poetin e madh dhe pedagogun korrekt e fjalëartë, Fatos Arapi, mes viteve 1970-‘73, në kohën kur ai na jepte leksionet e letërsisë shqipe dhe të ekonomisë politike, në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ka kaluar një jetë e tërë nga koha, kur ne, studentët i tij të fillimit të viteve shtatëdhjetë dëgjonim me kureshtje leksionet e tij të bukura për letërsinë e filozofinë. Nuk kemi për të harruar kurrë zërin e tij të ngrohtë, tepër të veçantë dhe oratorinë e rrallë, kulturën e tij të gjerë dhe veçanërisht aftësinë për të mbajtur mend e recituar bukur mijëra e mijëra vargje nga krijimtaria popullore dhe letërsia artistike. Por, me poetin e rrallë Fatos Arapi, fatkeqësisht ka ndodhur ashtu si me shumë poetë të tjerë të mëdhenj të botës, si R. Bërns, të cilët, kur kishin nevojë për vëmendje, përkrahje e vlerësim, shurdhmemecët e politikës dhe të pushtetit “i vranë” me mospërfilljen e tyre.

Fatos Arapi luftoi për lirinë, me armë në dorë, qëkur ishte në moshë tepër të njomë, por mbeti i zhgënjyer tërë jetën, sepse lirinë e vërtetë nuk e shijoi si duhet, as në vitet e të ashtuquajturës demokraci. Prandaj, i dëshpëruar thellë nga kjo botë e ftohtë dhe zuzare, vitet e fundit të jetës u vetizolua edhe nga shokët e tij të afërt. Ky qëndrim stoik ndaj të keqes ka bërë që Fatosi të mos joshej kurrë nga lajkat e idhujve të politikës dhe të pushtetit. Ai, edhe kur këndoi si bilbili i mbyllur në kafazin e sistemit monist, thuri këngët dhe vargjet më të bukura për vendlindjen dhe lirinë, për shpresën dhe dashurinë, për vendlindjen dhe Shqipërinë. Mesazhet dhe filozofia e vargjeve të tij, edhe pse të krijuar në sisteme e kohë të ndryshme, marrin vlera universale. Është kjo arsyeja që poetin F. Arapi shpesh e quanin heretik e modernist. Por, kurrë s’mundën ta mbytnin dot shpirtin e tij të lirë e rebel. Ai tërë jetën jetoi me poezinë e lirë. Në brazdat e vargjeve të tij, krahas gëzimit, gjen edhe dhimbjen e protestën, edhe trishtimin e groteskun, ndaj realitetit të kohës.

Fatos Arapi u lind në Vlorë, në vitin 1929, ku mori mësimet e para dhe të mesme. Që në moshë të njomë, ai rrëmbeu armën në luftë për liri. Studimet e larta i kreu në Sofje të Bullgarisë, për ekonomi. Për një jetë të tërë, ai punoi si mësues, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe gazetar në disa organe të shtypit qendror të kohës, ku shpalosi aftësitë e tij të rralla. Ai u dallua për lëvrimin e të gjitha llojeve dhe nënllojeve të krijimtarisë artistike, jo vetëm në prozë e poezi, por edhe në fushën e përkthimeve, të publicistikës dhe kritikës letrare. Por, ajo që i dha Fatos Arapit emër të rrallë, është poezia. Veçanërisht ai shkëlqeu me poezitë e bukura dhe të shumëllojshme të peizazhit e të dashurisë, që në fillimet viteve gjashtëdhjetë.

Më pas ai do të bëhet tepër i njohur me poemat: Drashovica, Republika, Antibiografike etj., nëpërmjet të cilave do të sillte një frymë të re, të mpleksur me stilin e vjershërimit modern të stilit të Nerudës. Librat e tij të para poetike janë: “Shtigje poetike”, “Ritme të hekurta”, “Pikëllimi i dritave”. Për talentin e tij të rrallë ai është nderuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, siç është çmimi “Kurora e artë”, të cilin e mori në Strugë. Me një çmim të tillë janë nderuar vetëm poetë të rrallë amerikanë, evropianë dhe shqiptarë të papërsëritshëm si Fatos Arapi. Të njohur e kanë bërë poetin Fatos Arapi edhe disa tekste këngësh si: “Mesnatë”, “Kur vjen pranvera” etj., të cilat, për brendinë dhe magjinë e fjalës poetike janë nderuar me çmime të larta, në festivalet e këngës në RTSh. Ajo që e bën poetin Fatos Arapi më të pavdekshëm është botimi i serisë së poezive të zgjedhura me katër vëllime, sponsorizuar nga Ministria e Kulturës.

Më jep një emër

Kështu titullohet libri i parë i kësaj serie, që mban poezi të shkruara mes viteve 1962-‘89. Poeti kërkon një emër dhe këtë emër të rrallë ia jep poezia. Sapo fillon të shfletosh këtë libër, kupton qartë se edhe pse këto poezi kanë lindur nga “barku i një kohe të çmendur”; ato u ngjajnë pulëbardhave që fluturojnë të lira, “përmes stuhive dhe skifterëve grabitqarë të kohës”. Kjo ndodh, sepse, siç shkruan F. Arapi, në shpirtin e tij kishte mbetur ende “një kthinë, ku nuk hynte dot as frika, as hipokrizia”. Jeta ime, shkruan ai më poshtë, ka kaluar “në mokrat e fatit shqiptar”. Por, sa besnik i kam qëndruar vetvetes, pyet ai veten. Dhe, më në fund, me sinqeritetin e një poeti modest, thotë: “Atë e gjeni në veprat e mia”. Poeti Fatos Arapi tërë jetën rendi për të gjetur lirinë e vërtetë. Ndaj shkruan: “Se donim të takonim lirinë / në sytë e vashave tona, / në rrugët plot dritë, / se ne liri, me ty u dashuruam”.

Ndërsa, në poezinë, “Pse erdha në jetë”, kësaj pyetjeje retorike, ai i përgjigjet kështu poetikisht: “Un’nuk erdha në jetë që të fle, kur s’më flihet. Un’erdha, që t’i blatoj këngë / të gëzuara mendimit të lirë”. Në poezinë “U dola para agimeve”, F. Arapi, edhe pse nuk ka asnjë përgjegjësi direkte për të ndalur “çmendinë e kohës”, kërkon ndjesë, që s’mundi të bëjë atë që duhej, për të ndalur sadopak atë marrëzi të shfrenuar të kohës moniste. Ndaj shkruan: “U dola përpara agimeve të mëdha, / Kur bota me nofullat e veta, / përtypte tragjeditë e saj, / vajta dhe unë të ngrohja duart / Dhe më zuri gjumi”. Një nga poezitë më të bukura të këtij vëllimi është “Hej vend!”, ku lexuesi befasohet me antitezat e vargjeve brilante: “Hej vend! / Plot diell e pa dritë. / Pagan dhe fron për Perënditë / Jetojmë, ku qiellin me dorë mund ta zëmë / dhe prapë / në ç’humnera kemi rënë. / Dhe ndihesh / i pasur në varfërinë tënde, i lirë në skllavërinë tënde, / Ndaj, prej dhimbjes, bëhem, sa s’çmendem”.

Në ëndrrat e tij të parealizuara, poeti ndjen dhimbjen” e kafshimit të urive” dhe “fytyrat e përgjakura të lirive”, të të gjitha kombeve dhe kohërave. Fatos Arapi i ka kënduar përherë Shqipërisë së lirë, trupin e së cilës, pushtuesit përherë kanë synuar ta kafshojnë, për ta copëtuar, por kurrë s’kanë mundur ta asgjësojnë, sepse shqiptarët lirinë e kanë ruajtur si gjënë më të shtrenjtë. Këtë mesazh, poeti Fatos Arapi kërkon t’ua përcjellë lexuesve nëpërmjet gojës së Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, në poezinë “Liria”. Ja si u drejtohet ai shqiptarëve, kur ai kthehet në Krujë: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu: Në thëngjijtë e zjarrit e kafshatën e bukës, / në varret e të rënëve, / Në majën e shpatës e thikën e plugut. / Në gjirin e nënës, që mëndete fëmijën”.

Në kaq pak Tiranë

Edhe në librin e dytë, me poezi të zgjedhura, të shkruara në vitet1990-96, që titullohet, “Në kaq pak Tiranë”, poeti F. Arapi vazhdon t’i këndojë lirisë dhe shqetësimit për ta bërë atë bashkudhëtare të përjetshme të shqiptarëve dhe të gjithë popujve të botës. Veçanërisht, atë e kanë shqetësuar trazirat e Ballkanit, i cili, duke qenë për një kohë të gjatë si një “minë me sahat”, ka rrezikuar dhe vazhdon të rrezikojë, edhe sot e kësaj dite, përgjakjen e lirisë. Është kjo arsyeja, që poeti F. Arapi, edhe në vitet ‘90, në Ballkan, fatkeqësisht, sheh shumë varre. Në këto troje, edhe “gjelbërimi i hidhur”, është ujitur prej “Danubit të lotëve”. Në Ballkanin e trazuar, “me gjak të lirive të njoma, shpëlajnë duart piratët”. Atdheu, për Fatos Arapin, është gjithçka: “Është dhimbje dhe dashuri, që e mban dhe të mban në shpirt / është bukë e uritur, ëndërr dhe ankth, / shpresë e sfilitur dhe varr i hapur”.

Që në vitet tetëdhjetë, poeti shkruan vargjet alegorikë kundër varrmihësve të lirisë, të cilët, “si terri para ditës, / shqyejnë ditë e natë me dhëmbë të ndotë / zemrën e shpresës sime”. Ishte koha, kur, edhe vetë poeti “ecte me arkivolin e tij mbi shpinë”. Ishte koha, kur, me sytë e tij, tragjeditë e popullit të vetë kishte parë. Prandaj, i dëshpëruar thellë shkruan: “Të mjerët shqiptarë, me vdekjen në sy, / kërkojnë të çmallen me vdekjen diku”. Ndërsa më poshtë vazhdon: “Dhe më vjen për të qeshur, / dhe më vjen për të qarë”. Për Fatos Arapin, shqiptarët: “Në luftë flenë duke ecur”; ndërsa “në vdekje vdesin duke ecur.”

Urna e vogël

Libri i tretë me poezi të zgjedhura, të shkruara në vitet 1997-2003 titullohet “Urna e vogël”. Poetin F. Arapi, edhe në periudhën e trazicionit të stërzgjatur, fatkeqësisht e shqetëson era e mykut të tiranisë moniste. Prandaj, përmes metaforave, u bën pushtetarëve të kohës thirrje të tilla apostrofike: “Lëreni të qetë Atdhenë! / Me frymë tiranësh, / po ndotni fatet tona”. Ndërsa për të zgjuar memorien e njerëzve të thjeshtë, të përgjumur nga propaganda e tymosur e kohës, ai shkruan vargjet: “S’i shihni fatet shqiptare, / si kanë ndalur e s’lëvizin / si mushka para greminës”. Është koha, kur shterpëria gënjen veten, se i duket sikur është shtatzënë me Promethenë. Më poshtë, poeti, i dashuruar me lirinë, proteston poetikisht ndaj atyre që kërkojnë t’ia privojnë lirinë: “Unë, që kam hyrë e dal nëpër dhimbjen e yjeve, / Nuk paskam të drejtë të hyj lirisht / nëpër lirinë time!”.

Ishte koha, kur shqiptarët “ndizeshin dhe fikeshin nëpër vdekje qirinjsh”, kur njerëzit, ashtu si dhe poeti, kanë harruar vetveten. Te ditët e tij “të grisura”, poeti sheh “luftërat e përgjakshme, / viktimat dhe vrasësit”, që ai i ruan në kujtesë, që nga koha kur ai, në një moshë tepër të njomë, rrëmbeu armën për liri. Por, “vrasësit e lirisë”, poetëve të vërtetë, nuk iu ndanë kurrë tërë jetën. Me sytë e tyre, ata panë, “thikat” pas shpine, që pseudopoetët, të cilët s’u bënë kurrë “dashnorë të muzës hyjnore”, ua ngulnin atyre pas shpine. Ata mbetën përjetësisht vrasës të lirisë, sepse “nëpër gjumë varrosën dhe zhvarrosën lirinë”.

Edhe pse vitet e fundit të jetës, poeti Fatos Arapi ishte ligështuar shumë, kishte momente që e rimerrte veten. Prandaj, rendte si në ëndërr, “me shpirt e këmbë të përgjakura”, për të gjetur buzëqeshjen. Tërë jetën rrugën, ja kanë prerë” macet e zeza” dhe cerberët. Edhe pse me këto mostra janë lodhur të gjithë: “edhe tragjeditë e komeditë / edhe fatet e Perënditë”, përsëri ai beson tek e fundit, shpresa.

Një buzëqeshje e pabesueshme

Libri i katërt me poezi të përzgjedhura të shkruara gjatë viteve 2005-2010, titullohet “Një buzëqeshje e pabesueshme”. Një nga poezitë më të spikatura të këtij vëllimi është “Trazicioni”, në themel të së cilës qëndron fshikullimi grotesk i këtij procesi të vështirë politiko-shoqëror të kohës. Demokracia, që kishte nisur të dilte nga “mitra e sëmurë” e një diktature të egër, ishte “pjellë e një lindjeje të vështirë”, e cila do të reflektonte tek fryti i saj i brishtë, liria. Me gjithë përpjekjet e saj për të shpëtuar nga kthetrat e diktaturës moniste, asaj i është dashur të ndeshet, më egërsisht edhe me “diktatorët e rinj”, të cilët përmes pseudoreformave dhe fjalëve të bukura, luftojnë me forcë për ta mbytur të gjallë lirinë e vërtetë. Prandaj, poeti F. Arapi shkruan vargjet metaforikë: “Dridhet brenda meje njeriu, kuis, / si këlysh i rrahur nga barinjtë e egër. / Liria shkon udhës e pyet lirinë: - Liri, ku ësht’ shpresa, ku ka vdekur”!?

Ndërsa halabakët dështakë, shtriganë dhe kronikë, siç i quan poeti diktatorët e rinj, mburren, se po bëjnë historinë e demokracisë së re. Poeti Fatos Arapi, për ta ruajtur lirinë e vërtetë të pastër dhe për ta çliruar atë nga prangat e skllavërisë, njerëzve të kohës u drejtohet me thirrjet apostrofike alegorike: “Mos i shtypni thnegëlat e dheut, / cicërimat e zogjve, mos i prekni! / Mos e dhunoni të vërtetën! / Mos iu bindni njerëzve të vdekjes! / Sepse, s’jemi, veçse një buzëqeshje e hidhur”. Shqiptarët e kanë dashur dhe kërkuar përherë fatin dhe lirinë, por, fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite, ata nuk e gëzojnë plotësisht fatin dhe lirinë e vërtetë. Prandaj poeti, i dëshpëruar thellë pyet veten dhe gjithë shqiptarët: “Pse na lufton fati, të gjithëve!? / Pse edhe liria na tradhton!? / Mos vallë trojet tona lindin promethenj dështakë!?” / Jemi ne fajtorë, apo spiunët, që na ndjekin këmba-këmbës deri në buzë të varrit”!?

Kjo vlen edhe për gjithë botën e sotme të trazuar nga luftërat dhe konfliktet. Edhe pse njerëzimi ka luftuar tërë jetën për liri, fatkeqësisht, përsëri, “Bota mbeti po ajo: plot uri e krim, / çmenduri luftërash e vdekjesh”. Poeti Fatos Arapi, nuk i ka kënduar vetëm dhimbjes e trishtimit. Janë të shumta poezitë, që ai ia kushton dashurisë, bukurive të rralla të Zvërnecit të magjishëm dhe veçanërisht mrekullive dhe lavdisë së rrallë të Vlorës së flamurit. Prandaj, këto shënime të shkurtra për krijimtarinë poetike të këtij poeti të madh, po i mbyll me vargjet me kolorit të thellë popullor, që ai ja kushton vendlindjes së tij, Vlorës: “Çfarë të bëj’ e shkreta Vlorë!? / Një flamur deshi në dorë / Bëhet shkëmb e bën liri / Bëhet shkrumb e bën dëshmorë”.