Liverpool janë duke u përgatitur të paraqesin një ofertë përfundimtare për yllin e vlerësuar të Anglisë, Marc Guehi, ndërsa vazhdojnë të forcojnë skuadrën që fitoi Ligën Premier në sezonin 2024/2025. 

Pas një sezoni debutues spektakolar në stolin e ‘Të Kuqve’, ku e fitoi titullin kampion bindshëm, trajneri Arne Slot ka filluar menjëherë përforcimet në afatin kalimtar. 


Florian Wirtz, i ardhur nga Bayer Leverkusen për një shifër rekord, ka qenë sinjali i parë i ambicieve të mëdha. Po ashtu, Milos Kerkez dhe Jeremie Frimpong janë zyrtarizuar si përforcime të hershme të verës. 

Por me shumë ardhje në ‘Anfield’, pritet të ketë edhe largime të bujshme. Trent Alexander-Arnold tashmë ka shkaktuar reagime duke u larguar me parametra zero drejt Real Madridit. 

Gjithashtu, Luis Diaz dhe Ibrahima Konate janë të lidhur me një largim të mundshëm, me ‘Los Blancos’  që thuhet se po përgatisin një ofertë për qendërmbrojtësin francez, kontrata e të cilit skadon verën e ardhshme. 

Për shkak të së ardhmes së paqartë të Konate, Slot është i vendosur të përforcojë qendrën e mbrojtjes, dhe Marc Guehi i Crystal Palace ka qenë në krye të listës së dëshirave të tij. 

Guehi ishte pjesë kyçe e përfaqësueses së Anglisë që arriti finalen e Euro 2024 në Gjermani. 

Sipas TEAMtalk, mbrojtësi ka rënë dakord për një kontratë pesëvjeçare me Liverpoolin, me opsion për një vit shtesë. Megjithatë, negociatat me Crystal Palace kanë qenë të vështira, pasi londinezët po mbajnë një qëndrim të fortë. 

Sipas The Sun, Liverpool po humb durimin dhe janë gati të paraqesin një ofertë përfundimtare në ditët në vijim, një ofertë prej 40 milionë eurosh, që do të jetë në parimin ‘merre ose lëre’. 

Ndërkohë, Newcastle United, që tregoi interes për Guehin verën e kaluar, mund të tentojë të futet në garë, duke krijuar një ‘luftë’ ofertash për 25-vjeçarin./Telegrafi/

telegrafi sport app