Merkuri, një kërcënim i heshtur: Ja si mund të ulni nivelet e tij në tonin e konservuar

Merkuri është një metal toksik që dëmton funksionin e trurit, veshkave dhe qelizave nervore, ndërsa renditet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një ndër dhjetë kimikatet më të rrezikshme për shëndetin publik
Ekspozimi afatgjatë ndaj merkurit lidhet gjithashtu me sëmundje kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri.
Pavarësisht përfitimeve që ka konsumi i peshkut, sidomos në dieta si ajo mesdhetare, tonit të konservuar shpesh i janë zbuluar nivele të larta të merkurit. Por studiues suedezë kanë zbuluar një mënyrë të thjeshtë për të ulur këto nivele: aminoacidi cisteinë.
Sipas testeve laboratorike nga Universiteti Suedez i Shkencave Bujqësore dhe Universiteti i Teknologjisë Chalmers në Göteborg, zhytja e tonit në ujë të pasuruar me cisteinë mund të largojë 25 deri në 35% të merkurit nga mishi i peshkut. Efekti është më i madh sa më gjatë dhe më shumë të jetë në kontakt mishi me tretësirën.
Metodë pa ndikim në cilësi
Eksperimentet treguan se trajtimi nuk ndryshon pamjen apo aromën e peshkut, ndërsa efekti i pastrimit mund të zgjasë deri në dy javë, pa shtuar aditivë të tjerë.
"Rezultatet tona mund të rrisin sigurinë ushqimore pa ndryshuar procesin e prodhimit", deklaron Femislav Strahovski nga Universiteti Chalmers, transmeton Telegrafi.
Kush është më i rrezikuar nga merkuri?
Merkuri, veçanërisht në formën metilmerkur, mund të shkaktojë çrregullime neurologjike, dëmtim të veshkave dhe sistemit nervor, probleme me shikimin dhe sjellje. Gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël janë më të ndjeshmit ndaj këtij metali toksik.
Studimet e deritanishme te kafshët kanë treguar se disa forma të merkurit mund të lidhen me zhvillimin e tumoreve, por të dhënat për ndikimin tek njerëzit janë ende të kufizuara.
Një alternativë premtuese ndaj kufizimit të konsumit
Edhe pse rreziku nga merkuri është real, ekspertët theksojnë se përfitimet nga konsumi i moderuar i peshkut e tejkalojnë rrezikun potencial, sidomos nëse zbatohen metoda të tilla për uljen e ndotjes.
"Qasja jonë nuk synon vetëm kufizimin e konsumit të peshkut, por ofron një zgjidhje për ta bërë atë më të sigurt për të gjithë", thekson shkencëtari Mehdi Abdolah. /Telegrafi/



















































