LAJMI I FUNDIT:

Kjo është agjenda e Samitit të Berlinit

Kjo është agjenda e Samitit të Berlinit

Presidenti Hashim Thaçi, në emër të delegacionit të Kosovës, nesër para Samitit të Berlinit do të zhvillojë një takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini. Po ashtu, para nisjes së këtij samiti, delegacioni kosovar pritet ta ketë edhe një takim me përfaqësuesit e diasporës sonë në Berlin.

Agjenda zyrtare e Samitit të Berlinit dhe arritja e liderëve të Ballkanit Perëndimor në Zyrën e Kancelares Merkel pritet t’ia fillojë në orën 16:00, përcjell Telegrafi.


Merkel fillimisht do ta pres në takim Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, si dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kjo pritje do t’u bëhet për shkak se këto dy shtete shpresojnë që këtë samit ta shfrytëzojnë për t’i bindur Gjermaninë dhe Francën për ta marrë datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Pas këtij takimi të kancelares Merkel me Zaevin dhe Ramën, në zyrën e kancelares Merkel pritet të arrijë presidenti francez, Emannuel Macron, ku më pas do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Pas kësaj konference, Merkel dhe Macron do t’i presin të gjitha delegacionet shtetërore.

Me arritjen e të gjitha delegacioneve shtetërore të Ballkanit Perëndimor do të fillojë edhe takimi i përbashkët, ku secili lider do t’i ketë rreth 3 minuta për të prezantuar qëndrimet e shteteve të tyre lidhur me temat që diskutohen në këtë samit.

Pas përfundimit të këtij takimi, të gjithë liderët dhe delegacionet shtetërore do të kenë darkën e përbashkët të punës, e cila pritet të zgjas deri rreth orës 22:00.

Krejt në fund, pas përfundimit të darkës së punës, nga organizatorët do të lëshohet edhe një deklaratë e përbashkët për media, e cila do të dal si rezultat i bisedimeve gjatë këtij samiti. /Telegrafi/