LAJMI I FUNDIT:

Mërgimtari tregon se si u mashtrua në Serbi për “rregullimin” e veturës

Mërgimtari tregon se si u mashtrua në Serbi për “rregullimin” e veturës
Foto: Ilustrim

Selim Molliqaj tash e disa vite udhëton me veturë drejt Kosovës nga Norvegjia.

Molliqaj tregon se kishte rënë në një kurth të disa personave në Serbi, të cilët i kishin marrë 550 euro gjoja se kishte pasur probleme në veturën me të cilën kishte ardhur nga Norvegjia në Kosovë më datë 22 janar të këtij viti.

“Më 22 janar kam ardhur. Rrugës kam hy në Serbi në kufi nuk kam pasur problem, kam ardhur deri te një qytet serb aty jam ndal në një pompë benzine me pushu, sepse më erdh një gjumë shumë i rëndë. U ndala me qëllim me fjet disa minuta, makinën e kam lënë ndezur. Kur më del gjumi për shkak të ftohtit, kur po shoh çelësi ka qenë në kontakt, por vetura ishte e ndalur”, tregon Molliqaj, për Kallxo.com.


Ai tutje shpjegon se posa ishte zgjuar kishte parë një karrotec mbrapa veturës së tij të cilët fillimisht i kishin ofruar ndihmë.

“Po më vjen ai po më ofron ndihmë tha, çka ke?I thash që nuk po më ndez vetura. Ai më tha nëse do mundemi me shku me ndreq veturën. Thash jam i interesuar. Sa po mi lypni me shku në kufi të Kosovës? Tha një eruo e ki kilometrin. Ramë dakord me më dërgu në Kosovë, kur papritmas dolën edhe dy persona të tjerë edhe automatikisht tjetri shkoi hypi në merimangë (karrotec) ma ngarkuan veturën. Kur u nisëm rrugës më thanë që po shkojmë deri në servisin e tyre për me marrë një faturë”, shpjegon tutje ngjarjen Molliqaj.

Ai fillimisht kishte menduar se vetura i ishte prishur dhe kishte defekt.

“Unë njëmend mendova se mu ka prish kerri pa asnjë dyshim. I kërkova emrin, kur ma tregoi emrin hezitoi dhe qaty fillova me dyshu. Shkuam te shtëpia e tyre. E kishin pasur një servis shumë të madh> Më tha që pe marr kompjuterin e te gjejmë problemin”, shpjegon Molliqaj.

Tutje sipas tij personat të cilët i kishin ofruar ndihmë në Serbi i kishin marrë veturën e kishin dërguar në një servis dhe të njëjtit kishin filluar t’i bënin ekzaminime për të gjetur problemin.

“E mori e shtini kompjuterin për një minutë më tha që kam problem me kompjuterin e makinës, t’u ka prish një pjesë që e dërgon benzinën në motor. E pyeta a ka pjesë dhe më tha, po”, vazhdon ai.

Tutje sipas Molliqajt, njëri nga punëtorët i kishte thënë se duhej të dërgohej pajisja te një elektricist për ta rregulluar.

“Shkoi ai dhe më thirri në telefon e më tha që po duhet 350 euro për me rregullu kompjuterin e makinës plus 50 euro me instalu çelësat. Nuk kisha zgjidhje tjetër sepse isha në mes të Serbisë dhe si ish-luftëtar nuk kisha interes me kontaktu me policinë e Serbisë, sepse aty e kuptova dhe mu rrit dyshimi për ta. E montuan pjesën, u ndez kerri edhe po i them djalit na kanë mashtru”, tregon Molliqaj.

Sipas tij problemi i cili ishte evidentuar nga personat që i kishin ofruar ndihmë, ishte vështirë i rregullueshëm.

“E kam kontaktu një tezak që punon në Norvegji, i thash a është e mundshme me ndodh ky problem, tha nuk ka shanse sepse nëse prishet kompjuteri duhet me ndërru”, vazhdon ai.

Molliqaj shpjegon se pasi kishte kryer pagesën dhe ishte nisur drejtë Kosovës, ishte kthyer sërish te i njëjti servis për të kërkuar gjoja një faturë për punët që kishin kryer.

“Hipa në makinë shkova në pompën e benzinës, e shoh të njëjtën merimangë dhe e shoh njeriun që ka vozit, por ai u zhduk menjëherë. Kur dola nga makina dhe hyra në pompë e kërkova shoferin e kamionit dhe doli e thirri dhe erdhi një shofer tjetër. E pash në qehre se i kapi një siklet”, tregon ai.

Molliqaj përmend faktin se “në pjesën e Serbisë nuk ka ndodhur asnjëherë me kalu pa pasur tleashe”.

Tutje ai tregon edhe se ka ndryshuar edhe emrin e tij pasi që kishte marrë informacione se si ish-ushtar i UÇK-së mund të ndalej në pikat kufitare të Serbisë.

“Unë në Serbi e kam paramendu me thirrë policinë, por arsye – nuk kam dashtë me i qit problem më shumë vetes. E kam pasur plan dhe kam kompletuar sa më shumë dokumente dhe e kam në plan me i dërgu një dokument Ambasadës së Serbisë në Norvegji dhe anasjelltas, me përshkru ngjarjen”, tregon ai.

Sipas Molliqajt në Serbi funksionon një grup që vë në ‘kurth’ qytetarë të ndryshëm që udhëtojnë në atë zonë.

“Aq janë profesionalistë, aq janë të organizuar mirë. Sikurse unë që kam rënë në kurthin e tyre që është shumë problem, kam dëgju edhe raste të tjera që ka ndodh ngjashëm”, tregon Molliqaj.

I njëjti thotë se historinë e tij kishte vendosur ta rrëfej për shkak të kosovarëve të shumtë që kalojnë në atë zonë për të shkuar në Kosovë.

“Qëllimi është shumë i thjeshtë, kur e kuptova mashtrimin më ka shkuar në mendje një fëmijë shqiptar me lot në sy me një problem të njëjtë në Serbi dhe kam dashtë me publiku këtë rast që mos t’i ndodh të tjerëve. E shoh më hair që më ka ndodhur mua sepse kam mbledh dëshmi dhe me qenë të vetëdijshëm ne shqiptarët që gjatë udhëtimit le të mbushin makinën në Hungari le të udhëtojnë ditën dhe të kalojnë sa më parë sepse nuk ka drejtësi nga Serbia për ne Shqiptarët”, përfundon rrëfimin Molliqaj.